Bosnjë-Hercegovina ka nisur të riatdhesojë shtetasit e saj që kanë luftuar krah Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak. Presidenti i Francës, Macron e përshkroi këtë vend si një “minë me sahat” dhe shqetësim shume i madh për Evropën për shkak të “problemit të kthimit të xhihadistëve”.
Por autoritetet thonë se riatdhesimi është një detyrim ligjor dhe vendi është gati të përballojë sfidën e sigurisë.
Gazetarja e Euronews takon babain e një djali i cili është kthyer në luftëtar të ISIS.
“Nuk e keni falur djalin tuaj për atë ç’ka bëri”?, pyet gazetarja Sefik Cufuroviç.
“Nuk mundem. Ai nuk meriton falje,” ia kthen Sefik.
Kur Sefik mësoi se djali i tij Ibro kishte shkuar në Siri për të luftuar në krah të ashtuquajturit shtet islamik, shumë gjëra qarkullonin në mendjen e tij.
“Uroja që asnjë granatë të mos e ndante atë në qindra copa”, shprehet Sefik.
Ibro Cufurovic ishte 19-vjeç kur u largua nga Bosnjë-Hercegovina.
Fotoja në raportin e policisë është e vetmja fotografi që Sefik ka për djalin për të cilin thotë se ka ikur përgjithmonë.
“Nëse do të kisha një djalë ai do të ishte këtu me mua. Kur u dha vendimi një gazetar më telefonoi dhe më pyeti nëse kisha dëgjuar se ai ishte dënuar me 4 vite burg, i thashë se për mua atij i duhej dhënë dënimi me vdekje”, rrëfen Sefik, babai i Ibros.
Përreth Evropës me mijëra djem e vajza të reja u tërhoqën në botën e ISIS me ide dhe veprime radikale.
Tani që grupi terrorist është mposhtur, disa vende kanë filluar riatdhesimin e luftëtarëve të tyre. Bosnjë-Hercegovina bëri me dije se do të niste këtë proces në fund të vitit që shkoi.
Shtatë burrat e riatdhesuar në dhjetor u paraqitën në gjykatë për t’u përballur me akuza. Bosnja ishte ndër vendet e para në Evropë që vendosi burgimin deri në 10 vjet për qytetarët që luftojnë në konflikt jashtë vendit ose rekrutojnë të tjerët që të luftojnë.
“Është detyra jonë ligjore të riatdhesojmë shtetasit tanë. Ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun e sigurisë, por ne jemi të gatshëm ta përballojmë” shprehet Fahrudin Radonçiç, ministër i Sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Por autoritetet në pjesë të tjera të vendit nuk janë dakord me këtë vendim dhe kanë të tjera pikëpamje.
“Mendoj se ka shumë presion mbi Bosnjën dhe Kosovën nga shtetet në koalicion dhe veçanërisht nga SHBA që mbajnë shumë terroristë të ISIS në kampet e tyre. Dhe për të pastruar këto kampe Amerika po shtyn vendet e tjera të marrin shtetasit e tyre”, thotë ministri i Brendshëm në Bosnjë, Dragan Lukaç.
Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga verilindja e Sirisë ka ngritur pikëpyetje në lidhje me fatin e luftëtarëve të huaj të ISIS – dhe familjeve të tyre. Shumë vende të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë shfaqur ngurrim në kthimin e qytetarëve të tyre, duke argumentuar se do të jetë e vështirë për të ndjekur penalisht luftëtarët e ISIS për shkak të mungesës së provave të krimeve të kryera në Siri dhe Irak.
Çështja e drejtësisë është thelbësore në një debat ku vendet në të gjithë botën janë duke u përballur me deradikalizimin e luftëtarëve të kthyer të ISIS.
Plani i Bosnjë-Hercegovinës është të përfshijë familjet në programet e riintegrimit dhe qeveria thotë se tashmë janë bërë shumë vullnetarë, por jo të gjithë. Shumë prej tyre nuk janë ende gati të falin.