Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje bankave që t’i përshtasin oraret e punës me oraret e reja të vendosura nga qeveria për lëvizjen e këmbësorëve, konkretisht fashat orare 06:00-08:00 dhe 16:00-18:00.
“Bankat kanë hall se s’do iu shkojnë njerëz gjatë ditës në sportele, meqë nga nesër do të ndalohet lëvizja në këmbë nga ora 10.00 deri në 16.00?
Ta kuptojnë edhe bankierët se jemi në luftë dhe t’i hapin sportelet nga ora 06.00 – 10.00 në mëngjes dhe nga ora 16.00 – 18.00 pasdite!
Nuk kemi si ia bëjmë ndryshe, të gjithë duhet të bëjnë sakrificën e tyre të vockël në këtë luftë të madhe për të mbrojtur jetën! Po të kishte bormbardime gjatë orarit të ndaluar çfarë do bënin bankat? e pra, fakti që nuk i shohim bombat që hedh armiku drejt nesh, nuk do të thotë se nuk jemi nën bombardim!
Adaptohuni miq! kjo nuk është lojë po luftë!” – shkruan kryeministri në Facebook.
Reagimi i kryeministrit erdhi pak pasi në një lidhje live me Euronews Albania, Spiro Brumbulli, sekretari i përgjithshëm i shoqatës së bankave shprehu shqetësimin se kufizimet e vazhdueshme të qeverisë me ndalim-qarkullimi edhe të këmbësorëve vetëm në dy orare të caktuara mund të ndikojë negativisht në veprimtarinë e bankave.