Një emigrant shqiptar nga Shkupi që jeton në Kanada, ka hapur disa kurse mësimi falas në fusha të ndryshme. Në shkollat fillore të qytetit të Shkupit janë impelmentuar programe mësimi për matematikë, anglisht dhe art figurativ.
“E kam familjen prej këtu dhe i kam 26 vite, ndërsa tashmë 20 vite me radhë vij çdo vit në Shkup. I kam mbajtur rrënjët. Këtë e shohim si investim në të ardhmen e Shkupit pasi gjithçka fillon nga rinia pasi nëse rinia merr edukim, do të bëjë zgjidhje më të mira në jetë. Dhe ne e kemi pikërisht këtë qëllim,” – tregoi Irfan Abazi.
Nxënësit kanë performuar më mirë në shkollë ndërsa kursi ka ndikuar edhe në socializimin e tyre.
Albin Ibishi prej dy vitesh ndjek këtë kurs dhe ka vetëbesim se ka përmirësim në mësime.
“Unë kam filluar të vij në këtë kurs prej kur kam qenë 10 vjeçar, dhe në këtë kurs e kam përforcuar matematikën, anglishten, vizatimin e të tjerë. Edhe unë kam thirrur shumë shokë që të regjistrohen në këtë kurs pasi është kurs shumë i mirë, mësueset na duan. Për mua është lehtësim sepse më ndihmon edhe në përforcimin e shkollimit,” – u shpreh nxënësi.
Shtatë mësues janë të angazhuar për punë individuale me fëmijët e regjistruar.
“Është një kënaqësi e madhe të punosh me fëmijë sepse ata janë ardhmëria jonë. E di se nesër do kesh diçka , kur t’i shohësh fëmijët se kanë arritur diçka edhe ti ke arritur diçka bashkë me ta. Prandaj edhe ky është qëllimi im, përse jam bërë këtu mësimdhënëse,” – u shpreh Emine Jashari.
Deri më tani në këto kurse falas janë regjistruar mbi 400 fëmijë ndërsa tendenca është që kjo shifër të rritet edhe më shumë me hapjen e kurseve edhe në zonat periferike të Shkupit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nuk kursehet Lionel Messi, dhuron shumën e majme për Turqinë dhe Sirinë
- Shkollat fillore në Vlorë pa sistem ngrohje, klasat jashtë kushteve