Kryeministri Albin Kurti ka mbrojtur qëndrimin e tij për heqje graduale të taksës dhe vendosje të reciprocitetit, kete e beri te ditur edhe ne seancen e jashtezakonshme te Kuvendit te Kosoves
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga opozita, për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dialogun me Serbinë, kryeministri Albin Kurti ka mbrojtur qëndrimin e tij për heqje graduale të taksës dhe vendosje të reciprocitetit.
Madje, Kurti tha se heqja e taksës pa reciprocitet, i hap rrugë një marrëveshjeje, sipas tij, tashmë të gatshme mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Duke u lidhur me këtë ai tha se “mbase Kosova ka nevojë për president të ri, sikur që e ka qeverinë e re”.
Ndërsa, nga opozita, kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, akuzoi Kurtin për rrezikim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika ndaj Kurtit pati edhe ish-zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, që tha atij i mungon guximi për të marrë vendime dhe përgjegjësitë që i takojnë.
Teksa foli për rëndësinë e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti tha se ai nuk është anti-amerikan, por kundër anti-amerikanëve.
Edhe në këtë seancë partneri i Kurti, Lidhja Demokratike mbrojti qëndrimin për heqje të taksës sipas kërkesës amerikane.
Derisa seanca ka vazhduar me përplasje mes deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës, presidenti Hashim Thaçi i ka reaguar në Facebook kryeministrit Kurti.
Thaçi e ka quajtur frikacak, mashtrues e gënjeshtar Kurtin, duke thënë se qasja e tij po rrezikon raportet e Kosovës me SHBA-të.