Është publikuar së fundmi renditja e pasaportave më të fuqishme dhe vendet aziatike kryesojnë sërish listën. Pasaportat europiane, nga ana tjetër, kanë zbritur disi nga renditja.
Japonia dhe Singapori kanë vulosur epërsinë e tyre në listë, duke lënë pas vende si Gjermania e Finlanda.
Indexi i Pasaportës Henley mat se cilat janë pasaportat më të fuqishme, duke llogaritur se në sa vende mund të hyjnë shtetasit pa pasur nevojë të marrinë vizë.
Për vitin e tretë radhazi, Japonia renditet në vend të parë. Shtetasit japonezë mund të hyjnë në plot 191 vende, pa vizë ose duke e marrë në momentin që mbërrijnë në destinacion, ndërsa Singapori ka zbritur në vend të dytë me 190 shtete.
Koreja e Jugut dhe Gjermania kanë humbur një vend në renditje, duke zbritur kështu në vendin e tretë. Personat e pajisur me pasaporta prej këtyre vendeve nuk kanë nevojë të marrin viza për 189 shtete.
Pesë pasaportat më të fuqishme të 2020-s
- Japonia (191)
- Singapori (190)
- Koreja e Jugut (189)
- Gjermani (189)
- Italia (188)
- Finlanda (188)
- Spanja (187)
- Luksemburgu (187)
- Danimarka (187)
Cilët janë faktorët matës?
Indexi i Pasaportës Henley mbledh të dhëna se në sa shtete sovrane mund të vizitojë një shtetas pa pasur nevojë të aplikojë më parë për vizë.
Me rritjen e rëndësisë së pasaportave aziatike, a kanë më pak vlerë pasaportat e tjera?
Një nga rezultatet kryesore të renditjes së fuqisë së pasaportave në 2020-n, është rritja e fuqisë së pasaportave aziatike, veçanërisht Japonia, Signapori dhe Koreja e Jugut.
Paddy Blewer, Drejtori i Grupit të Marketingut të Henley & Partners tregon për Euronews se “pasaportat dhe udhëtimet rajonale janë një tregues pozitiv ose negativ i marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike, si dhe e statusit të sovranitetit të një shteti. Prandaj, indeksi shfaq relativisht një rritje të lartë të influencës së Japonisë, Singaporit dhe Koresë së Jugut në fushën e tregtisë, ekonomisë dhe polikave globale”.
Më tej ai shtoi se “po të shohësh shifrat, në 10 vitet e fundit, disa vende si Gjermania, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e kanë ndryshuar në mënyrë domethënëse numrin e destinacioneve ku mund të shkosh pa vizë”.
Cilat janë vendet e fundit në renditje?
Në 2020-n, Pakistani, Siria, Iraku dhe Afganistani renditeshin në vendet 104 deri 107. Pakistani ia mori vendin Somalisë nga viti i shkuar duke u renditur në vendin 104.
Shtetasit afgan mund të udhëtojnë në vetëm 26 vende, pa pasur nevojë të marrin vizë më parë.
“Është mjaft e vështirë të humbësh të drejtën për të udhëtuar pa vizë, por në momentin që kjo ndodh, atëherë është shumë e vështirë t’i rimarrësh. ”, thote Blewer.
Sipas Blewer “Vendet që janë në fund të indeksit kanë probleme shumë të mëdha me sovranitetin, çështjet gjeopolitike dhe deficitin demokratik, shtetin e së drejtës e kështu me radhë.”
Kush pritet të ngjisë listën në vitet e ardhshme?
“Për të llogaritur se cila pasaportë do të fuqizohet në të ardhmen, varet nga ndryshimet rrënjësore në statusin e atij vendi,” vë në dukje Blewer.
Mali i Zi është ndër vendet që pritet të ngjisë listën në vitet e ardhshme, pasi së fundmi shpalosi një program që i jep shtetësi investitorëve në vend.
Blewer parashikon që edhe vende si Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria do të ngjiten në renditje në vitet e ardhshme, meqë “këto shtete sovrane kanë ndërmarrë politikat e duhura lokale dhe ndërkombëtare për tu integruar më mirë me sistemin ndërkombëtar ”