Liz Truss njoftoi dorëheqjen, që do të thotë se tani do të ketë një proces tjetër elektoral për të zgjedhur liderin e ardhshëm konservator dhe rrjedhimisht kryeministrin.
Gara për zëvendësimin e saj pritet të mbyllet brenda javës së ardhshme. Deri tani, askush nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen, por kandidatët me potencial janë disa.
Rishi Sunak garoi për të zëvendësuar Boris Johnson këtë verë dhe arriti në finale me zonjën Truss, e cila mori më shumë mbështetje nga ligjvënësit.
Gjatë fushatës, Sunak paralajmëroi se plani i taksave i rivales së tij do të dëmtonte ekonominë, por mesazhi i tij nuk i joshi shumë anëtarët e partisë dhe ai humbi me 21 mijë vota.
Sunak u bë ligjvënës në vitin 2015 për zonën e Jorkshajërit të Veriut, në rajonin e Riçmondit. Pak njerëz kishin dëgjuar për të, por ai shërbeu si ministër i Financave deri nga shkurti i 2020-s.
Në më pak se një javë kohë për të zgjedhur liderin e ri, shumë nga konkurrentët ka gjasa të jenë fytyra familjare dhe mes tyre nuk mungon paraardhësi i Truss.
Pavarësisht largimit, Boris Johnson ka ende aleatë si në Parlament edhe në radhët e partisë, disa prej të cilëve kanë kërkuar që tani që ai të kthehet.
Dhe mediat britanike raportojnë se, menjëherë pas njoftimit të Truss, Johnson ka ndërprerë pushimet në Republikën Dominikane dhe është nisur për në Londër.
Një tjetër kandidate është Penny Mordaunt, e cila i dha sinjalet për t’u bërë kryeministre më herët gjatë javës, kur qëndroi në vend të Truss gjatë një sesioni urgjent parlamentar.
Ajo mori një vlerësim të mirë për performancën e saj dhe kjo i jep shtysë për të garuar për kryetare qeverie.
Figura të tjera janë Ben Wallace, aktualisht ministër i Mbrojtjes; Suella Braverman, deri të mërkurën ministre e Brendshme e qeverisë Truss; dhe politikania jo shumë e njohur Kemi Badenoch.
LEXONI GJITHASHTU:
- Cila ishte arsyeja kryesore që çoi në dorëheqjen e Liz Truss?
- Britania e Madhe në udhëkryq pas dorëheqjes së Truss, laburistët kërkojnë zgjedhje