Ditët e ftohta më dëborë në veri të Greqisë, të shoqëruara me erërat e forta, por edhe temperaturat ekstremisht të ulëta gjatë natës, kanë vështirësuar jetën e refugjatëve që jetojnë në një kamp në Malakasa, 35 kilometra larg Athinës.
Problemet shëndetësore këtu janë të shumta. Disa refugjatë të rinj që qëndronin në tenda të vogla, janë nisur drejt stacioneve të metrove për të gjetur strehim në banesat e të afërmve apo miqve të tyre në Athinë, në përpjekje për të evituar qëndrimin në tenda gjatë dimrit të acartë.
Një tendë e madhe aty pranë, mban brenda saj më shumë se 30 tenda të tjera të vogla. Refugjatët që jetojnë në këto tenda të vogla janë familje, dhe gati gjysma e tyre janë fëmijë.
Për shkak se nuk ka furnizim me energji elektrike, ata nuk mund të përdorin ngrohjen. Koha më e vështirë për fëmijët është kur dielli perëndon e deri në agim, pasi temperaturat bëhen akoma edhe më të ulëta.
“Gjatë këtyre ditëve ka rënë shi dhe dëborë. Fëmijët kishin shumë ftohtë për të fjetur në tendë. Në mbrëmje dëgjon gjithmonë të qarat e fëmijëve. Jemi shumë të trishtuar”, tregon Abudul, një refugjat nga Afganistani.
Kampi aktualisht është shtëpia e rreth 2.500 refugjatëve. Gjatë tre muajve të fundit, shumë refugjatë të bllokuar në ishujt grekë janë transferuar në tokë, duke përkeqësuar situatën në këtë kamp tashmë të mbipopulluar.
Në mot të keq, edhe refugjatët që jetojnë në barake, nuk janë në gjendje të përballojnë kushtet e ftohta dhe lagështirën, kështu që shumë prej tyre vuajnë nga infeksione të lëkurës.
“Fëmijës tim i kruhet lëkura, por nuk mund të bëjmë dot asgjë pasi nuk kemi ilaçe prej shumë kohësh,” tha Jamal, një tjetër refugjat afgan.