Do t’i njohë apo nuk do t’i njohë zgjedhjet e 30 qershorit Gjykata Kushtetuese? Kjo pyetje e opozitës është nxjerrë nga arkiva e institucionit të lartë kushtetues, ku ishte regjistruar që në korrikun e vitit të kaluar.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga tre gjyqtarë, ka vendosur që ankimimi i bërë nga kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi kundër zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të shqyrtohet në seancë plenare nga kjo gjykatë.
Ky vendim i Kushtetueses mund të konsiderohet edhe si një hap drejt shqyrtimit të një çështjeje që është cilësuar edhe si çelësi për zgjidhjen e krizës politike.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese mund të marrë vetëm dy vendime; të rrëzojë një ankim ose ta kalojë për shqyrtim në seancë plenare. Nëse gjykata do ta rrëzonte kërkesën e opozitës, atëherë zgjedhjet e 30 qershorit do të merrnin dritën jeshile nga kjo gjykatë.
Por me vendimin e marrë, do të duhet të pritet plotësimi i karrigeve bosh në gjykatë, në mënyrë që të ketë një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Aktualisht Gjykata Kushtetuese përbëhet nga katër anëtarë, dhe të vetmet vendime që mund të marrë është kalimi ose jo i çështjeve në seancë plenare. Deri më tani kjo gjykatë ka rrëzuar 52 ankime të bëra, ndërkohë çështje të nxehta si ankimi i presidentit kundër prishjes së teatrit dhe ankimimi i zgjedhjeve ka vendosur t’i shqyrtojë nga seanca plenare.
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi depozitoi pranë Gjykatës Kushtetuese në 18 korrik ankesën, ku kërkonte që procesi zgjedhor i 30 qershorit 2019 të shpallej antikushtetues. Këtë padi ajo e mbështeste në dy argumente kryesore, dekreti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve dhe mungesa e kandidatëve alternativë në 31 bashki.