Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka njoftuar se seanca plenare e planifikuar për nesër nuk do të zhvillohet.
Me një shënim në “Facebook”, numri dy në Partinë Socialiste shprehet se deputetët në Komisionet përkatëse Parlamentare duhet të vijojnë punën për të ndjekur situatën, në përputhje me masat e paracaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtës Sociale.
“Kuvendi i Shqipërisë nuk do të mblidhet në seance plenare, në kuadër të masave të domosdoshme për situatën e emergjencës.Deputetët do të vijojnë angazhimin e tyre në komisione dhe në ndjekjen e situatës, duke respektuar masat e rrepta të përcaktuara nga MSH”, shkruan Balla.
Ai bën apel për qetësi dhe kujdes të shtuar për qytetarët.
“Frikë jo, kujdes po! Masat shtrënguese do të vijojnë sipas planit dhe kontributi i çdo qytetari është esencial për përballimin me sa më pak pasoja të armikut të padukshëm që kërcënon shëndetin tonë e të njerëzve më të dashur rreth nesh”-thuhet në shënimin e Ballës.