Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme lidhur me tarifën 100% ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. 41 deputetë nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kërkojnë nga qeveria që të mos e heq tarifën e aplikuara ndaj Serbisë.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar konstatoi se kërkesa e deputetëve për seancë i plotëson kushtet formale-juridike, dhe si e tillë, ajo do të mbahet sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do të heqë tarifën për lëndën e parë që vjen nga Serbia dhe nga Bosnja Hezegovina.
“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në këtë fushatë miqësore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, do ta heqë tërësisht tarifën për një periudhë 90 ditore. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Nëse pala serbe nuk reflekton as pas 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga 15 qershori do ta kthejë tarifën deri në zbatimin e reciprocitetit”, ka pohuar Kurti.
Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj nuk e ka përjashtuar as mundësinë për protesta, duke thënë se edhe protestimi është formë demokratike.
I dërguari i posaçëm i SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i ka kërkuar Albin Kurtit që të heqë plotësisht tarifat e aplikuara ndaj mallrave serbe. Por, Kryeministri i Kosovës nuk është pajtuar me këtë thirrje, të pakën deri tani, por ka shtuar se taksa do të hiqet pjesërisht vetëm për lëndën e parë. Ky i fundit i ka kërkuar BE-së të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës, ndërsa Serbisë i ka kërkuar ndalimin e fushatës kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare.