Kuvendi i Kosovës ka votuar qeverinë e re me Kryeministër, Albin Kurtin. Miratimi i qeverisë së re u bë me 66 vota pro, dhe 10 vota abstenim.
Ndërkohë deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në votimit, pasi braktisën sallën e Kuvendit pak para nisjes së procedurës së votimit.
Pas marrjes së votëbesimit, Kurti u shpreh se do të ketë ndarje të pushteteve ndërsa u zotua për zero tolerancë ndaj korrupsionit.
“Sot mbaron mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe fillon një etapë e re e të bërit qeveri. Nga sot ka një lidership të ri, që i konsideron aleatë ata që tregojnë zero tolerancë ndaj korrupsionit. Le t’i mbajmë pushtetet e ndara në një shtet të përbashkët. Populli na ka zgjedhur të punojmë për interesat e tyre dhe jo për interesa personale a grupore”, u shpreh z. Kurti.
Nga ana tjetër, z. Kurti u zotua se do të punojë për të gjithë qytetarët e vendit pa marrë parasysh se kush ka votuar për të.
“Sot kanë fituar qytetarët. Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli. Ne jemi kalimtar e shërbëtor që punojmë në emër të popullit e për popullin. Populli mbetet i përhershëm e ne jemi të zëvendësueshëm”, deklaroi Kryeministri i ri i Kosovës.
Kurti: Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike
Në seancën e Kuvendit për formimin e qeverisë së re, kandidati për kryeministër z. Albin Kurti ka prezantuar në pika të përgjithshme planin e tij qeverisës. Duke folur para ligjvënësve, Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, z. Albin Kurti tha se programi i tij adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetar. Sipas tij, me këtë program materializohen premtimet e zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit.
“Të nderuar deputetë të Kuvendit, të dashur qytetarë të Republikës, shkëlqesi ambasador, përfaqësues ndërkombëtarë, kryetarë të komunave, familje të dëshmorëve. Të nderuar të pranishëm më lejoni që të filloj prej asaj që është më e rëndësishmja, program ynë qeverisës për të cilën ekzistojmë ne edhe si përfaqësues e së shpejti edhe si qeveri.
Programi i plotë do të publikohet në faqen zyrtare, por unë këtu po shpalos një pjesë të tij. Kemi një program që adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetarë. Me këtë program ne jetësojmë premtimet e 6 tetorit, të kësaj dite që shënoi ndryshimin e madh politik në vend, e të cilin ne sot po e institucionalizojmë së bashku me qeveri të re”, tha Kurti.
Lideri i LVV-së, po ashtu tha se do të jenë qeveri e kursimit të parasë publike dhe me më pak shpenzime në poste e privilegje që të shpenzohen më shumë në projekte zhvillimore.
“Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike, ashtu edhe siç po e shihni para meje do të jenë 15 ministra, e jo 21 sa ishin më herët. Do të kemi rreth 33 zëvendësministra dhe jo mbi 80 sa ishin më herët. Pra, më pak shpenzime në poste e privilegje që të shpenzojmë më shumë në projekte zhvillimore. Do të departizohen e depolitizohen agjencitë dhe ndërmarrjet publike, do të reduktojmë e ristrukturojmë ato e do të vendosim indikatorë të matshëm për të rregulluar cilësinë e për të matur edhe suksesin, edhe dështimin”, tha ai.
Ai po ashtu gjatë prezantimit të programit të tij qeverisës, tha se kjo qeveri do të jetë qeveria e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit për të ndaluar migrimin masiv, për të nxitur punësimin e për të rritur produktivitetin. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, z. Albin Kurti tha se në mandatin e tij qeverisës, buxheti i shtetit do të jetë tre miliardë euro.
“Do të departizojmë shërbimin e jashtëm përmes një rishikimit funksional të bazuar në performancë dhe rezultate. Do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit për të ndalur migrimin masiv, për të nxitur punësimin e për të rritur produktivitetin na duhet një program që nxitë zhvillimin ekonomik. Prandaj, do të mbështesim zhvillimin e ndërmarrësisë në tërësi me fokus të veçantë ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe industrinë prodhuese. Ndërmarrësit i shohim si partnerë kyç në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik”, deklaroi z. Kurti.
Më tej Albin Kurti theksoi se do nivelojë garën për bizneset në Kosovë duke hequr monopolet dhe evazionin fiskal. Ai theksoi se këto janë probleme që krijojnë një treg të zi, ndërsa u zotua se kjo gjë do të ndryshohet. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, z. Albin Kurti theksoi se fokusi parësor i qeverisë së tij do jenë, rendi, drejtësia, siguria, arsimi dhe shëndetësia.
MINISTRAT
Nga 15 ministri që do të ketë Qeveria Kurti, Vetëvendosje dhe LDK-ja do të udhëheqin me nga gjashtë. Tri të tjera u takojnë minoriteteve, dy serbëve dhe një nga të tjerat. Në fjalën e dytë në seancën për formimin e qeverisë, Albin Kurti ka prezantuar kabinetin e tij.
Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti
Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi
Ministria e Punëve të Jashtme – Glauk Konjufca
Ministria e Integrimeve Evropiane – Blerim Reka
Ministria e Drejtësisë – Albulena Haxhiu
Ministria e Arsimit – Hykmete Bajrami
Ministria e Financave – Besnik Bislimi
Ministria e Punëve të Brendshme – Agim Veliu
Ministria e Ekonomisë – Rozeta Hajdari
Ministria e Mbrojtjes – Anton Quni
Ministria e Infrastrukturës – Lumir Abdixhiku
Ministria e Shëndetësisë – Arben Vitia
Ministria e Bujqësisë – Besian Mustafa
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – Emilia Rexhepi
Ministria për Kthim – Delibor Jevtiq
Ministria për Zhvillim Rajonal – Ivan Millojeviq