Studentët e mjekësisë presin të mbarojnë studimet dhe sipas tyre me gjasa të largohen për punë jashtë vendit.
Vitet e fundit të dhënat na vërtetojnë se po vihet re një shtim i dëshirës së mjekëve për të punuar në një shtet larg Shqipërisë. Sipas një studimi, 78 % e mjekëve të anketuar ishin të gatshëm për të jetuar jashtë vendit. Rezultatet treguan se pjesa më e madhe e mjekëve janë të pakënaqur me pagat. Në rang qarku, rezulton se mjekët që preferojnë më shumë të largohen janë punonjës të shëndetësisë në qarkun e Durrësit, Lezhës dhe Dibrës.
Të dhënat nga Urdhri i Mjekut na tregojnë se në 5 vitet e fundit, rreth 1000 mjekë kanë ikur nga Shqipëria për punë si dhe specializim afatgjatë ose afatshkurtër.
“Edhe këtë vit, pak a shumë më të njëjtin ritëm si vitet e tjera janë kërkuar 166 certifikata nga mjekë të rinj apo edhe nga mjekë të tjerë me disa vite stazh”, thotë Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë.
Emigrimi i bluzave të bardha sipas kryetarit të Urdhrit të mjekëve ka sjellë disa pasoja në strukturat shëndetësore.
“Sigurisht ka pasoja, sepse mbingarkohen e para ata që mbeten, Pasojë tjetër për të sëmurët është që duhet të presin në radhë më shumë”, shton ai.
Për Ministrinë e Shëndetësisë ashtu si vendet e tjera edhe Shqipëria është prekur nga fenomeni i lëvizjes së lirë të mjekëve, megjithatë gjatë dy muajve të parë të këtij viti në vend janë punësuar rreth 140 mjekë.