Në një reagim për herë të parë inkurajues për marrëveshjen me Vetëvendosjen, nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani tha se çfarëdo lëvizje që ka për qëllim afrimin e qëndrimeve duhet të vlerësohet si përpjekje serioze, ndonëse shtoi se për propozimin e fundit nga Vetëvendosje do të vendosin përfundimisht organet e LDK-së.
Në një postim pak orë më vonë, Osmani ka bërë një tjetër gjest afrimi me Vetëvendosjen, kur ka përmendur faktin se në momentet kur po votohej themelimi i Gjykatës Speciale, Vetëvendosja ishte e vetmja që u ngrit kundër këtij akti shkatërrimtar për shtetin e Kosovës.
Osmani u ka dërguar edhe një mesazh të tërthortë drejtuesve të partisë së saj, kur ka shkruar se “për çfarë na duhet partia nëse mund të mos kemi më Kosovë”.
Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka bërë publike ofertën që kryetari i partisë, Albin Kurti së tij i ka bërë kreut të LDK-së, Isa Mustafa.
Në letrën e publikuar nga Bislimi, Albin Kurti propozon rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, duke mbajtur 5 për vetë, 6 për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe 3 për komunitetet pakicë.
Propozimet e Vetëvendosjes duket që kanë shkaktuar reagime edhe nga radhët e LDK-së, ku numri dy i saj, Vjosa Osmani, ka përshëndetur nismën n Vetëvendosjes.