Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim ish-shefin e Sektorit të Shërbimeve në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Stiljan Pasho dhe shtetasin E.G. për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Në kuadër të hetimeve dhe pas informacioneve të mbërritura në rrugë operative se punonjësi i policisë, kryekomisari Stiljan Pasho me detyrë Shef i Sektorit të Shërbimeve në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, është i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike, prokuroria provoi se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin tjetër të hetuar, E.G. lejonte transportimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë.
Ky punonjës policie me veprime konkrete dhe në kundërshtim me atributet që i jep ligji, ka bashkëpunuar duke favorizuar shtetasin L.L. në kalimin e kufirit në Kapshticë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar, duke urdhëruar dhe ndikuar tek vartësit e tij që mos kryenin kontroll. Shtetasi në fjalë, u kap më pas nga pala greke me 26 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, rezultoi e provuar se këta shtetas në bashkëpunim me shtetasin L.L. të arrestuar në Greqi dhe persona të tjerë të paidentifikuar kanë realizuar një qëllim të përbashkët kriminal duke bërë të mundur trafikimin nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Greqisë, të një sasie lënde narkotike të llojit kanabis sativa, e ndarë në 27 pako, e cila nëse do të hidhej në treg, do të sillte përfitime monetare për organizatorët e kësaj veprimtarie nga 75.000 – 117.000 euro.
LEXONI GJITHASHTU:
- Trafikonin drogë nga Tajlanda në Shqipëri, arrestohen 3 persona në Tiranë
- Mbi 440 kg drogë/ SPAK dërgon në gjyq Emiljan Burbën, organizotor i grupit kriminal