Partia Lëvizja Bashkë ka çelur zyrtarisht fushatën e saj zgjedhore këtë të diel nga qyteti i Fierit.
“E Reja Po Lind” është slogani politik dhe thirrja që Arlind Qori, kreu i Lëvizjes dhe eksponentët e tjerë të forcës së majtë politike përmendën gjatë takimit, me premtimin se së shpejti përtej “lindjes së të resë” në Fier, ajo do të shihet edhe anekënd Shqipërisë.
Kandidati i parë i listës së Tiranës, Redi Muçi dhe ajo e listës së Fierit, Mirela Ruko, ishin gjithashtu pjesë e takimit, ku u prezantuan edhe kandidatët për qarkun jugor të Lëvizjes.
Kjo është hera e parë që lëvizja dikur aktiviste me emrin “Organizata Politike” merr pjesë si parti e mirëfilltë politike në zgjedhje dhe pretendon edhe mandate, pas një suksesi të një mandati të gjeneruar në Tiranë për Këshillin Bashkiak në vitin 2023.