Liderët botërorë po u përgjigjen tensioneve mes Shteteve të Bashkuara, Iranit dhe Irakut të cilat janë përshkallëzuar që kur gjenerali Iranian Qassem Soleimani u vra në orët e para të së premtes.
Përgjatë komuniteteve ndërkombëtare, krerët e vendeve kanë përsëritur thirrjet për qetësimin e situatës.
“Ndalojeni përshkallëzimin. Ushtroni vetëpërmbajtjen në maksimum”
“Mesazhi im është i shkurtër dhe i qartë: ndalojeni përshkallëzimin. Ushtroni vetëpërmbajtjen në maksimum. Rinisni dialogun. Rinovoni bashkëpunimin ndërkombëtar”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i OKB Antonio Guterres.
Gjatë një interviste të hënën, ai dukej i shqetësuar për situatën e krijuar dhe tha se viti i ri ka nisur me trazira.
NATO tregon shqetësime për sigurinë e rajonit
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg foli pas një mbledhjeje emergjente në Bruksel dhe konfirmoi se aleanca do të pezullonte të gjitha aktivitetet trajnuese në Irak si pasojë e situatës së rrezikshme.
Stoltenberg shtoi se aleatët e NATO-s ishin të shqetësuar për aktivitetet e Iranit në rajon por theksoi se sulmi ishte një vendim i marrë nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se SHBA paraqiti arsyet e sulmit në mbledhjen emergjente në Bruksel.
“Një konflikt i ri nuk do të ishte në interesin e askujt. Irani duhet t’i përmbahet dhunës dhe provokimeve të tjera”, deklaroi Stoltenberg.
Bashkimi Europian do të mbajë një këshill të jashtëzakonshëm të çëshjteve të jashtme me shtetet anëtarë të premten.
Presidenti francez Macron tha gjatë një mbledhjeje të Kabinetit të hënën se ai gjithashtu dënon “qëllimet agresive” të Iranit dhe vendimin e tyre për të braktisur marrëveshjen bërthamore të 2015, sipas zëdhënëses së qeverisë Sibeth Ndiaye.
Kreu francez bëri thirrje për qetësimin e tensioneve si pasoje e ngjarjeve të fundit.
Ndërkohë zëdhënësi i kryeministrisë në Mbretërinë e Bashkuar tha se kryeministri britanik Boris Johnson kishte diskuatuar për nevojën e ndalimit të përshkallëzimit të tensioneve në rajon gjatë një telefonate me homologun e tij në Irak
Gjermania planifikon të lëvizi disa nga ushtarët e saj në Jordani dhe Kuvajt
Gjermania planifikon të zhvendosë disa nga trupat e saj që ndodhen në Irak, në vendet fqinje si Jordania dhe Kuvajti.
Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë Annegret Kramp-Karrenbauer dhe Ministri i Jashtëm Heiko Maas u shkruajtën ligjvënësve se trupat që ndodhen në bazat Irakene të Bagdatit dhe Tajit do të zvogëlohen përkohësisht.
Gjermania ka 120 ushtarë në Irak, megjithatë pjesa më e madhe e tyre nuk janë të stacionuar në Taji apo Bagdat por në vende të tjera të Irakut. Dy ministrat thanë se ushtarët që ndodhen në këto dy baza do të lëvizen në Jordani dhe Kuvajt.
Kancelarja gjermane Merkel do të takohet me presidentin rus Putin
Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë këtë të shtunë, thanë zyrtarët gjermanë.
Zëdhënësi i kancelares, Steffen Seibert deklaroi se Merkel dhe Putin do të diskutojnë mbi pikëpyetjet ndërkombëtare të situatës së tanishme, që përfshijnë Sirinë, Libinë, Iranin, Irakun, Ukrainën dhe marrëdhëniet bilaterale.
“Rusia është një lojëtar i rëndësishëm i skenës botërore dhe si anëtare e përhershëm i OKB-së, është e domosdoshme kur bëhet fjalë për zgjidhen e konflikteve politike”, tha Seibert. Gjermania aktualisht nuk është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.
Gjermania, Rusia dhe fuqi të tjera botërore janë munduar ta shpëtojnë marrëveshjen bërthamore të 2015 me Iranin që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në vitin 2018.
Irani ka shprehur pakënaqësi nga komentet e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë e cila sugjeroi se Berlini e konsideron si të justifikuar vrasjen e gjeneralit Soleimani.
E pyetur për qëndrimin e Gjermanisë mbi këtë situatë, zëdhënësi i kancelares Merkel tha se sulmi ndaj komandantit të forcave kurde erdhi si pasojë e veprimeve të Iranit, duke cituar sulmet në impiantet e naftës në Arabinë Saudie, çisternat në ngushticën e Hormuzit dhe ndaj ambasadës amerikane në Bagdat.