Me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, liderët e gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të dielën në një darkë pune në selinë e BE-së në Bruksel.
“Sot do të kemi një darkë të rëndësishëm me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Është një takim i rëndësishëm në perspektivën e Samitit të Zagrebit në maj, por edhe një perspektivë e hapur për këto vende, që për opinionin tim është shumë e rëndësishme. Kjo do të thotë se do të përpiqemi të marrim një vendim strategjik për qëllimet e rëndësishme të cilat duhet t’i arrijmë së bashku”, – u shpreh Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.
Në takim mori pjesë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç në cilësinë e shefit të qeverisë i cili mban kryesimin e radhës së BE-së si dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
“Kjo është një mbrëmje dhe darkë e rëndësishme. Ju e dini që vendet e Ballkanit Perëndimor janë një prioritet për komisionin tonë. Besoj se kjo është në interesin tonë të përbashkët gjeopolitik për ta pasur Ballkanin Perëndimor sa më afër Bashkimit Evropian. Ju e dini që ne e kemi rishikuar metodologjinë tonë, dhe metodologjia e rishikuar duhet të krijojë dhe të rrisë besueshmërinë nga të gjitha palët në këtë proces sepse përshpejton reformat strukturore dhe nga ana tjetër po krijon një perspektivë të besueshme për Ballkanin Perëndimor për t’u bashkuar me kalimin e kohës me Bashkimin Europian. Gjithashtu ne duam të shtrojmë rrugën për RMV dhe Shqipërinë për të nisur bisedimet e pranimit me BE, nëse është e mundur përpara Samitit të Zagrebit.
Sa për vetë samitin, ne po përgatisim një paketë investimesh nga Komisioni dhe shpresoj që Këshilli të na japë dritën jeshile për këtë çështje. Nesër do të kemi një konferencë donatorësh për Shqipërinë që ka për qëllim mbledhjen e parave për rindërtimin pas tërmetit të vështirë që ndodhi në Shqipëri”, tha Ursula van der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian.
Ndryshe nga shtetet e rajonit, që përfaqësohen nga presidentët, Shqipërinë në këtë takim e përfaqëson kryeministri Edi Rama.
Ky takim është thirrur për të diskutuar për rrugën e vendeve të rajonit drejt afrimit me BE-në, përgatitjen e samitit të Zagrebit që zhvillohet më 6 dhe 7 maj të këtij viti dhe angazhimin e BE-së për të ndihmuar në tejkalimin e problemeve në rajon.