Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka shtyrë seancën për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve dhe ka vendosur të mbajë një seancë përgatitore, ku do të marrin pjesë ekspertë, profesorë dhe parti politike. Gjatë kësaj seance, secili palë do të mund të paraqesë argumentet e tij në lidhje me këtë ligj, raportojnë mediat në vendin fqinj.
Propozimi për seancën përgatitore u miratua me 5 vota pro dhe vetëm një kundër. Kundër ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila njoftoi se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, duke e konsideruar të panevojshme, pasi ka një vendim të Komisionit të Venecias. Ndërkaq, gjykatësit që mbështetën propozimin theksuan se qëllimi i kësaj seance është të sigurohet transparencë në procesin gjyqësor.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, qëndroi para Gjykatës Kushtetuese gjatë seancës, ku po diskutoheshin çështje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ahmeti tha se gjykatësit nuk duhet të marrin vendime të njëanshme dhe theksoi se duhet ruajtur bashkëjetesa dhe demokracia në Maqedoninë e Veriut. Ai kërkoi që të mos abuzohet me çështje të ndjeshme për të bërë fushata me fjalor anti-shqiptar. Ahmeti theksoi gjithashtu se marrëdhëniet ndëretnike janë çelësi i stabilitetit të vendit dhe kërkoi që të shmangen vendimet selektive që dëmtojnë demokracinë dhe bashkëjetesën.
Gjykatari Fatmir Seknder kërkoi anulimin e seancës për të mundësuar praninë e dy gjykatësve të tjerë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, por propozimi i tij nuk u miratua nga kolegët e tij, sipas raporteve të Alsat.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut i detyron institucionet shtetërore të pranojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve, përfshirë këtu gjuhën shqipe. Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët përbëjnë rreth 30% të popullsisë prej rreth 2 milionë banorësh.
Debati rreth këtij ligji ka u rritur pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, partia maqedonase që e kishte kundërshtuar këtë ligj.
LEXONI GJITHASHTU:
- BDI: Ndryshimi i ligjit për gjuhët rrezikon stabilitetin e Maqedonisë së Veriut
- Ambasadorja amerikane paralajmëron zgjerimin e listës së zezë në Maqedoninë e Veriut