Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka propozuar disa ndryshime në ligjin numër 79/2017 për sportin.
Fokusi kryesor i këtyre ndryshimeve ka të bëjë me dhunën në sport. Euronews Albania disponon dokumentin ku veç ndëshkimeve për dhunën përfshihet edhe përjashtimi nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar për agjencitë e shërbimit të sportit, ndërsa të ardhurat nga të drejtat televizive propozohet që të shkojnë në masën 100% për organizatorët e veprimtarive sportive.
Duhet theksuar se drafti nuk është përfundimtar pasi është akoma në proces konsultimi me palët.
Për këtë çështje foli në Euronews Albania pedagogu dhe analisti sportiv z. Artan Shyti. Ai tha se sporti në Shqipëri ka shumë pak mbështetje financiare, ndërsa u ndal edhe tek disa masa konkrete, që sipas tij do t’i jepnin frymë zhvillimi sportit në vendin tonë.
“Po në parim ky ligj më tepër është ndryshuar se sa është përdorur në vite, por në këtë kontekstin që diskutohet është mirë që ligji të preket pasi një nga pretendimet që kanë pasur ata që përdorin ligjin ose që janë subjekt i ligjit, është që ka pak hapësira dhe mbështetje financiare për sportin. Megjithëse unë di, ose të paktën kam informacion jozyrtar, shpresohet që të ketë edhe ndryshime të tjera.
Shpresohet që paketa mbështetëse financiare për sportin të jetë më e gjerë. Kërkesat që janë bërë nga futbolli, janë që brenda kësaj pakete që të zvogëlohen ose të hiqen tatimet mbi të ardhurat e sportistëve, sidomos kur këto tatime vijnë nga burimet private. Të shikohen mundësitë e ligjit të sponsorizimit, që të ketë më shumë interes privati që të financojë në sport. Në parim të krijohen më tepër hapësira ligjore që financimi i sportit të jetë më i madh”, tha mes tjerash z. Shyti.