Në këto tre vitet e fundit kanë përfituar nga liria me kusht disa personazhe të tjerë të dënuar për krime të rënda vrasje, trafik droge dhe organizatë kriminale. Lulzim Berisha ish-kreu i bandës së Durrësit u liruan në fund të 2016. Pas tij lanë me radhë qelinë Elidon Kotorri, Gerd Gjinerari, Lulzim Caka, Viktor Ymeri dhe Genc Tafili. Ndërsa në Gjykatën e Tiranës është duke u shqyrtuar edhe kërkesa e Arben Grorit, i akuzuar për vrasjen e Naim Zyberit në një spital ne Milano në 1999.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ilva Now, në Euronews Albania, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj foli rreth situatës së krijuar duke theksuar se qeveria dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë kompetencë të lirojnë njerëz nga burgu, komptetencë që i takon gjykatës, ndërsa sqaroi masat e marra nga institucioni që ajo drejton për të ndëshkuar shkelësit e ligjit në këto raste.
“Qeveria dhe unë si ministre kam marrë disa masa që jo vetëm të ndëshkohet rasti, por edhe të parandalohen raste të tilla të ngjashme. Nëse i rikthehem lirimit të Endrit Dokles, e kuptoj reagimin publik, por Ministrisë e Drejtësisë nuk ka asnjë lloj kompetence në sistemin e Drejtësisë me reformën në drejtësi”, – tha ministrja.
Teksa komentoi raportin e Shërbimit të Provës, mbi bazën e të cilit ishte dhënë vendimi për lirimin me kusht të Endrit Dokles, ministrja Gjonaj tha se nisur nga ky precedent, Ministria e Drejtësisë ka marrë disa masa për drejtorin e Shërbimit të Provës Krujë dhe masa të tjera administrative.
“Një urdhër për gjithë Shërbimin e Provës; nga sot nuk kanë të drejtë të çojnë raportin në gjykatë për të dënuarit mbi 15 vjet pa u miratuar më parë nga drejtoritë e përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë. Ajo që është bërë në burgje me vite nuk ka ndodhur. Më parë jo vetëm jepeshin rekomandime, por liroheshin të dënuar për një kohë të caktuar dhe ktheheshin prapë brenda.
Sot mund të ketë raste sporadike ku administrata e burgjeve mund të çedojë, por e rëndësishme është që ka edhe masa ndëshkuese. Në rastin e Dokles burgjet kanë dhënë vendim negativ, pra të që të mos lirohet”, – tha Gjonaj.
Ministrja e Drejtësisë shprehu bindjen se regjimi 41 BIS ku do të izolohen persona me dënime për krime të rënda, i cili do të nisë aplikimin nga fillimi i muajit shkurt, do të sjellë ndryshim thelbësor në sistemin e burgjeve.
Ministrja theksoi se nga ana e qeverisë është përcjellë në kuvend ligji për disa ndryshime për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të ketë mundësi të marrë masa administrative me pezullim nga detyra të prokurorëve dhe gjyqtarëve abuzivë.
“Është një situatë shqetësuese lidhur me vendimmarrjet e fundit të gjyqtarëve, pasi padyshim krijon një shqetësim dhe revoltë te publiku. Duke e ndjekur me shqetësim kam vepruar përtej kompetencës ligjore që kam. Nuk kemi toleruar askënd”, – tha ministrja Gjonaj.