Gjykata e Përmetit ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për botuesin dhe analistin e njohur, Henri Çilin. Mbi botuesin dhe analistin Henri Çili rëndojnë akuzat e ushtrimit të ndikimit tek funksionarët publikë, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Botuesi i njohur ka mohuar akuzat në një dëshmi paraprake në drejtorinë e policisë së Gjirokastrës.
Provat që do paraqesë prokuroria janë kryesisht përgjime në të cilat Çili ka ndikuar tek një funksionar i lartë i drejtësisë për të liruar vëllezërit Arbjon dhe Albano Aliko.
I pari është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa i dyti me 18 vite si autorë të vrasjes së efektivit te RENEA-s Ibrahim Basha në Lazarat në 2015. Analisti u arrestua së bashku me 27 persona të tjerë gjatë operacionit, i cili kishte nisur fillimisht për falsifikim parash.
Gjatë përgjimeve u zbulua se këta persona flisnin edhe më Çilin për një shumë parash që do të paguheshin për lirimin e të dënuarve. Sipas dosjes së prokurorisë, botuesi ka takuar në Tiranë një funksionar të lartë të sistemit të drejtësisë për të ndikuar tek ai.
Çili ka marrë garancinë se dosja e vëllezërve Aliko do të ketë prioritet në momentin që gjykata do të e lartë do jetë funksionale. Por, emri i këtij funksionari të drejtësisë nuk është bërë publik nga hetimet.