Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se të gjithë punonjësit e institucioneve paralele serbe, që u mbyllën më 15 janar nga autoritetet kosovare, do të vazhdojnë të marrin paga dhe se kjo parti “do të vazhdojë të luftojë me të gjitha mjetet dhe t’i fitojë zgjedhjet për të mbrojtur popullin serb”.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt, dhe Lista Serbe është i vetmi opsion politik në mesin e komunitetit serb që ka mbështetjen e Beogradit për të marrë pjesë në to.
Lista Serbe, pas mbylljes së shumicës së institucioneve që veprojnë në sistemin serb në jug të Ibrit nga Qeveria e Kosovës me mbështetjen e policisë, mbajti një takim të Kryesisë dhe nxori disa përfundime.
Disa prej tyre, sipas Ellek, janë që të vazhdojnë konsultimet me Serbinë për hapat e mëtejshëm dhe të kërkojnë shpjegime nga komuniteti ndërkombëtar “përse mbështesin veprimet e [kryeministrit të Kosovës Albin] Kurtit”.
“Ndoshta përkohësisht mund të mbyllin ndërtesat, por nuk mund ta ndalojnë ndihmën e shtetit të Serbisë, as nuk mund ta ndalojnë Listën Serbe që të kujdeset për popullin e saj dhe të marrë pjesë në këto zgjedhje”, tha ai.