English

LIVE BLOG | Zhvillimet më të fundit nga tubimi i thirrur nga Presidenti

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

➤ Ora 17:58 Monika Kryemadhi e distancuar nga Meta, në krah të ish-deputetëve të LSI

- Advertisement -

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi është shfaqur e distancuar sot në manifestimin e presidentit Ilir Meta, njëherazi bashkëshorti i saj. Kryemadhi shihet teksa është e përhumbur në telefon, ndërkohë që shoqërohet nga Klajda Gjosha, Petrit Vasili, Dritan Kaba e Ylli Dylgjeri.

➤ Ora 17:40 Rama ik, Rama ik! Thirrje politike në tubimin për mbrojtjen e Kushtetutës

Teksa presidenti Ilir Meta iu bashkua njerëzve të shumtë të mbledhur para Presidencës, u ul në gjunjë dhe bëri shqiponjën me duar, i rrëmbyer ndoshta nga entuziazmi. Nga turma u dëgjuar sakaq thirrje të vazhdueshme në kor ‘Rama ik, Rama ik’, por kreu i shtetit bëri thirrje që të mbahej qetësi teksa fjalën do ta merrte një nga të ftuarit në podium.

➤ Ora 17:35 Ledio Bianko: Rrezikojmë të drejtohemi nga ligji i forcës

Ledio Bianko, figurë e njohur e të drejtës ndërkombëtare, ish-anëtar i Gjykatës së Strasburgut, në fjalën e mbajtur në tubim theksoi se, pa Gjykatë Kushtetuese të pavarur dhe me integritet, vendi rrezikon të drejtohet nga ligji i forcës.

Z. Bianko shtoi se, kur Presidenti nuk mund të paraqesë pretendimet e tij në një organ të pavarur, imagjinoni çfarë ndodh me qytetarë e thjesht për shkeljen e lirive të tyre.

Ai shtoi se, protesta bëhet për pushtet, por për pushtet kushtetues, pasi është pushteti më i rëndësishëm i një shteti ligjor.

➤ Ora 17:32 Presidenti Meta ulet në gjunjë

Ilir Meta ka dalë nga Presidenca me dy gishtat lart, ndërsa më pas është ulur dhe në gjunjë para protestuesve dhe më pas i shoqëruar nga disa artistë dhe sportistë i është bashkuar podiumit të tubimit.

➤ Ora 17:27 Presidenti: Pranvera nuk ndalet deri në rivendosjen e sovranitetit

Presidenti, Ilir Meta pak minuta para se, t’i bashkohej tubimit bëri thirrje se kjo “pranverë kuqezi nuk ndalet deri në rivendosjen e sovranitetit”.

➤Ora 17:24 Kreu i PD, Lulzim Basha i bashkohet tubimit

Nga hotel “Rogner”, kreu i PD Lulzim Basha i është bashkuar tubimit të thirrur nga Presidenti i Republikës. Basha shoqërohej nga kreu i PR, Fatmir Mediu dhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj.

“Ndodhem këtu si qytetar, i bashkëshort, si prind. Kam dalë për të dhënë mesazhin e qartë se ky është një tubim qytetar”, u shpreh z. Basha.

➤ Ora 17:19 Berisha i përgjigjet ftesës së Metës: Fillimi i fundit të narkoshtetit

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur ftesës së presidentit të republikës, Ilir Meta për të ashtuquajturën ‘Besëlidhje’ në mbrojtje të Kushtetutës, që sipas kreut të shtetit po shkelet nga mazhoranca.

I shoqëruar nga ish-deputeti Ervin Salinaji, z. Berisha i është bashkuar protestuesve teksa si gjithmonë, duke qenë lideri historik i demokratëve, ka marrë vëmendjen e mbështetësve të PD, të pranishëm në këtë tubim.

Në një fjalë të shkurtër para mediave ish-kryeministri tha se kjo ditë shënon fillimin e fundit të narkoshtetit

➤ Ora 17:11 Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i bashkohet tubimit të presidentit

Tubimit të thirrur nga kreu i shtetit i është bashkuar edhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Me një pankartë të madhe ku shkruhej Mbro teatrin, aktivistët të cilët prej më se 2 vjetësh kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtare për të ndërtuar në vend të tij një tjetër.

➤ Ora 17:00 Tubimit të thirrur nga presidenti i bashkohen banorë të Unazës së Re

Një grup banorësh të Unazës së Re, të veshur me jelekët simbolikë që mbajtën gjatë gjithë kohës së protestës së tyre në mbrojtje të banesave në zonën e Unazë së Re, i janë bashkuar tubimit të thirrur nga presidenti në mbrojtje të Kushtetutës. Të drejtuar nga ish-deputeti demokrat Klevis  Balliu, i cili ka qenë në mbështetje të tyre gjatë protestave tek Astiri, banorët e Unazës së re kanë marshuar në bulevard për t’ju bashkuar njerëzve të mbledhur përpara Presidencës.

➤ Ora 16:55 Policia: S’ka informacion për trazira

Policia e Shtetit thotë se nuk ka informacion për trazira të mundshme gjatë protestës dhe për këtë arsye, nuk ka forca të shtuara policie pranë Kryeministrisë. Madje, nuk ka as kordon para godinës që Qeverisë.

➤ Ora 16:54 Zbulohet dekreti që do të firmosë Presidenti

Presidenti, Ilir Meta ashtu siç kishte paralajmëruar do të firmosë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” një dekret kundër “grushtit të shtetit”. Në fakt, bëhet fjalë për kthimin e ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas  ligjit të miratuar pak ditë më parë në Parlament, jo detyrimisht duhet të betohen para Presidentit për marrjen e detyrës. Nga ana tjetër, z. Meta në fjalimin që do të përmbyllë tubimin pritet të japë dhe një ultimatum për dekretimin për shpërndarjen e Parlamentit.

➤ Ora 16:20 Policia me maska kundër gazit

Pranë Kryeministrisë janë dislokuar dhe automjete të blinduara që shërbejnë për të shpërndarë turmën duke përdorur ujin. Gjithashtu, forcat e policisë shihen të pajisur me maska kundër gazit.

➤ Ora 15:57 – Mbërrijnë qytetarët e parë nga rrethet

Shumë qytetarë nga qytete të ndryshme pritet të vijnë në Tiranë për të marrë pjesë në manifestimin e Presidentit Meta. Mësohet se shumë qytetarë janë nisur nga qytetet, si Elbasani, Korça, Durrësi, Fieri dhe Shkodra. Ndërkohë që vetëm nga Gjirokastra pritet të nisen rreth 1500 persona, shumica e të cilëve me mjete personale.

➤ Ora 15:00 – Mimoza në njërën dorë, Kushtetutën në tjetrën, Meta mesazh shqiptarëve 2 orë para tubimit

Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë një videomesazh për qytetarët në faqen e vet zyrtare në Facebook, dy orë para tubimit që do zhvillohet në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Me lule mimoza në njërën dorë dh Kushtetutën në tjetrën kreu i shtetit thotë se kjo e fundit po pret popullin.

“Të dashur motra e vëllezër, Kushtetuta e popullit, po pret popullin e Kushtetutës. Edhe pa momente na ndajnë  nga nisja e pranverës kuqezi. Mirë se vini të gjithë”, shprehet Meta.

Euronews Albania, edicion special për manifestimin e 2 marsit

Manifestimi i thirrur nga Presidenti, Ilir Meta, do të përcillet në një edicion special në Euronews Albania.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?