Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se bashkëpunimi me Shqipërinë nuk ka qenë kaq intensiv dhe efektiv sa është sot.
Në fjalën hapëse gjatë sesionit plenar të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Kurti u shpreh se janë zbatuar pothuajse të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë.
“Këto mbledhjet e qeverive tingëllojnë më të vërteta dhe efektive se kurrë më parë. Bashkëpunimi mes dy shteteve në kohën e paqes duhet ta rindezë atë entuziazëm që pati në kohën e luftës për çlirim.
Ky bashkëpunim nuk ka qenë asnjëherë më gjerë dhe intensiv si në burimet njerëzore ashtu dhe natyrore. Edhe pse për një kohë ka pasur kufi ndarës të imponuar politikisht, natyra nuk ka ditur asnjë për ta kur i ka shpërndarë burimet e saj zhvillimore në këtë rajon. Janë zbatuar të gjitha marrëveshjet përveç njërës që do të zbatohet së shpejt”, u shpreh Kurti.
Pak më parë, delegacioni i Shqipërisë ka mbërritur në Prishtinë për mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, ku ka nisur edhe mbledhja.

Mbledhja e fundit mes dy qeverive ka qenë në muajin nëntor të vitit të kaluar, ku Shqipëria dhe Kosova nënshkruan 13 marrëveshje të reja në mbledhjen e përbashkët e dy qeverive në qytetin e Elbasanit.
Ndërkohë, në takimin e sotëm pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të tjera mes dy qeverive.
LEXONI GJITHASHTU: