Lokalet në Prishtinë do të gjobiten nga 500 deri në 3000 euro nëse do të shkaktojnë zhurma më shumë sesa norma e lejuar. Ky vendim është bërë publik këtë fillim jave nga kryetari komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Vizituam sot Dhomën e Monitorimit të Ndotjes Akustike në Inspektoratin e Kryeqytetit. Nga e hëna fillojmë edhe zyrtarisht punën dhe duke u bazuar në rregulloren e miratuar në Kuvend, të gjitha lokalet e gastronomisë në Kryeqytet, të cilat nuk respektojnë decibelët e lejuar do të gjobiten,” – shkroi ai në Facebook.
Sistemi, i cili do të vihet në zbatim nga e hëna, perveç matjes në mënyrë automatike do të bëjë me dije dhe gjobën për ata që e tejkalojnë normën e lejuar, duke evituar vendimet nga inspektorët. Rrjedhimisht me këtë sistem askush nuk do të mund të ankohet për sasinë e parave që do të duhet të paguajë pas shkeljes.
Kryetari Rama tha se Prishtina është lidere në botë me këtë sistem të monitorimit të zhurmës.
Kontrollimin e zhurmës e mirëpritën edhe përfaqësuesit e gastronomëve. Zhurma e lejuar për lokalet e gastronimisë do të jetë 60 decibel. Tejkalimi i kësaj sjell gjoba.
Për të marrë pajisjen, lokalet është dashur të aplikojnë në komunë, ndërsa për ata që nuk kanë aplikuar ende u tha se dënimet do të fillojnë menjëherë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Telekomi, një çështje e re Prishtinë-Beograd, reagon qeveria e Kosovës
- Si u kapën 400 mijë euro drogë në Tiranë, pilulat silleshin me autobus nga Prishtina