Të paktën 33 ushtarë turq raportohet se kanë mbetur të vrarë nga një sulm i forcave të regjimit të Bashar Al assad të cilët mbështeten nga Rusia. Ndërkohë të tjerë ushtarë turq kanë mbetur të plagosur. Lajmi është bërë me dije nga zyrtarë të lartë turq. Autoritetet Siriane deri më tani nuk kanë bërë asnjë koment publik mbi përshkallëzimin e fundit në Idlib, provinca e fundit Siriane që mbetet në duart e opozitës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATOS, Jens Stoltenberg në një telefonatë me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu dënoi sulmet ajrore nga regjimi sirian dhe mbështetësi i tyre Rusia në provincën Idlib.
Ushtria turke filloi të godiste përsëri në objektivat Siriane pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan mbajti një takim urgjent të nivelit të lartë të sigurisë në Ankara. Udhëheqësi turk kërkon që forcat e qeverisë siriane të tërhiqen nga pozicionet ku Turqia ka ngritur pika të vëzhgimit ushtarak dhe më parë kishte kërcënuar se do t’i sulmonte nëse nuk ndalonin përparimin e tyre.
Por qeveria e Sirisë dhe Rusia e kanë refuzuar kërkesën e tij për t’u tërhequr në linjat e armëpushimit të rënë dakord në vitin 2018. Rusia ka akuzuar gjithashtu Turqinë për shkeljen e armëpushimit të vitit 2018 duke mbështetur rebelët me municione.
Përballë një situate të tillë me ashpërsim të luftimeve Turqia mund të përballet sërish me një valë të re të refugjatëve sirianë. Vetë zyrtarët turq janë shprehur se tashmë Ankaraja nuk do t’i ndalojë më refugjatët që të shkojnë drejt Evropës. Rreth 1 milionë civilë që nga muaji dhjetor janë zhvendosur nga Idlib në kufi me Turqinë. Kho konsiderohet si kriza më e rëndë humanitare që prej 9 vitesh kur ka filluar edhe lufta.