Papa Francesku mbajti lutjen e tij të përjavshme në një mënyrë të pazakontë. Kësaj radhe, bekimi i tij nuk erdhi nga dritarja mbi sheshin e “Shën Pjetrit” por nëpërmjet një video-mesazhi. Edhe pse papa e cilësoi këtë lutje të çuditshme ai nuk mund të linte pa shprehur solidaritetin e tij për njerëzit në këtë situatë të vështirë.
Gjithçka erdhi si pasojë e mbylljes së të gjitha eventeve të urdhëruara nga autoritetet italiane për të mos përhapur coronavirusin. Kjo përfshin edhe sheshin e Vatikanit ku çdo të diel mblidhen mbi 40,000 besimtarë. Kufizimet të cilat do të prekin rreth 16 milion njerëz deri më 3 Prill u nënshkruan me ligj nga kryeministri italian Giuseppe Conte.
Pavarësisht situatës, Papa u shfaq disa sekonda për të përshëndetur njerëzit në shesh por nuk bëri asnjë koment. Turistët nga ana tjetër dolën të shpërndarë në sheshin e gjerë për të ndjekur lutjet e papës.