Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se nuk do ta braktisë reformën e shumëpërfolur të pensioneve, por se është i hapur për kompromis me sindikatat.
Macron foli për një “përmirësim të mundshëm rreth moshës së daljes në pension”, e cila sipas reformës do të shtyhet nga mosha 62 në 64 vjeç, për punonjësit që duan të tërhiqen me pension të plotë.
Ai shtoi më tej se shpreson “të ketë progres deri në fund të javës”.
Presidenti tha se qëllimi është për të marrë një “pushim” nga grevat gjatë periudhës së festave, pasi sindikatat franceze lajmëruan të mërkurën se nuk do të kishte “armëpushim gjatë Krishtlindjeve”, për sa i përket konfliktit të tyre me qeverinë në kuadër të reformave të pensionit.
Kryeministri francez Edouard Philippe, i cili më herët gjatë javës shpalli detajet e reformave, do të takohet përgjatë ditës me përfaqësues të sindikatave për të negociuar me ta.
Franca ka hyrë në javën e dytë të grevave mbarëkombëtare në kundërshtim të projektit të qeverisë.
Sipas qeverisë 615 mijë persona, ndërsa sipas sindikatave 1.8 milion persona, kanë marshuar të martën për të kundërshtuar reformat, në serinë e fundit të grevave dhe marshimeve të cilat kanë paralizuar sektorin e transportit në Francë.
Lexoni më shumë:
Kryeministri francez Edouard Philippe shpalos sistemin e ri të pensioneve
Protestat paralizojnë disa qytete në Francë, rikthehen jelekverdhët
Vazhdojnë grevat kundër reformës së pensionit në Francë
Francë, grevë masive në transport e arsim kundër reformës së pensioneve