Dy adoleshentë mbetën të plagosur në një aksident të shënuar mbrëmjen e së enjtes në segmentin e rrugës rurale që lidh fshatin Jagodinë të Elbasanit me fshatin Bujqës.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se automjeti tip Fiat me targë AB395HL me drejtues shtetasin Gerald Dashamir Sollaku, 21 vjeç banues në fshatin Gjergjan në një segment të rrugës rurale të amortizuar, pa sinjalistikë dhe pa ndriçim ka goditur biçikletën që drejtohej nga 14-vjeçari Franko Nergjoni, banues në fshatin Bujqës.
Së bashku me të në biçikletë po udhëtonte edhe 16-vjeçari Egil Moli, banor i fshatit Bujqës dhe fqinj me 14-vjeçarin.
Pas përplasjen nga autovetura të dy adoleshentët kanë përfunduar jashtë rruge. Dy adoleshentët e aksidentuar janë transportuar në repartin e kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Elbasanit për trajtim mjekësor.
Burime spitalore konfirmuan se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
Njëri nga adoleshentët ka dëmtime të lehta, ndërsa tjetri dëmtime më serioze . Ndërkaq policia ka dokumentuar ngjarjen dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidenti.