Presidenti francez, Emanuel Makron, tha se epidemia e coronavirusit ishte e pashmangshme në Francë, dhe se qeveria e tij do të merrte masa për të luftuar infeksionet.
Makroni vizitoi një spital në Paris, ku humbi jetën një 60-vjeçar francez, viktima e dytë e coronavirusit në Francë.
Ndërkohë që përfaqësuesit e shëndetësisë janë të pakënaqur me shpenzimet qeveritare, Makron u bëri të qartë që do të kishin mbështetjen e tij.
Coronavirusi ka infektuar rreth 80 mijë persona, duke vrarë gati 2800 kryesisht në Kinë.
Përhapja e shpejtë ka bërë që të përmendet edhe termi pandemi.
Franca është në gjendje alarmi, për shkak se ka në kufi zonën e Italisë që ka rezultuar më e prekura në Europë.
Franca deri tani ka identifikuar 18 raste personash të prekur.
Qeveria franceze i ka udhëzuar të gjithë që kthehen nga Kina, Koreja e Jugut apo nga zona e Lombardisë, në Itali që ta masin temperaturën dy herë në ditë dhe të shmangin kontaktet me të sëmurët apo me persona të moshuar për 14 ditë.
Fëmijët e shkollave që kanë udhëtuar në ato zona kanë marrë udhëzime që të mos shkojnë në shkollë për dy javë.