English

Makron: Polonia, Franca e Gjermania do të udhëheqin Europën pas Brexit

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Presidenti francez, Emanuel Makron, i bëri thirrje Polonisë që t’i përforcojë marrëdhëniet me BE-në për t’i dhënë unionit një formë të re, pa Britaninë, sidomos për sa i përket sigurisë në Europë dhe marrëdhënieve me Rusinë.

- Advertisement -

Pas bisedimeve të fundit në Varshavë me presidentin polak, Andrzej Duda, Makron bëri gjithashtu thirrje që ripërtërihet bashkëpunimi trepalësh me Gjermaninë. Për këtë ai shprehu nevojën e mbajtjes së një samiti urgjent përpara verës, që do të vazhdojë në vitet pas shkëputjes.

Presidenti francez tha se të tri vendet kanë përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen e Europës, ndaj duhet ta marrin përsipër këtë rol, sidomos pas largimit të Britanisë javën e shkuar.

Pas një takimi me kryeministrin polak, Mateus Moraviecki, Makron tha se udhëtimi i tij në Poloni kishte qenë “mjaft i veçantë, pak ditë pas Brexit-it, pasi tregon vullnetin që ekziston midis partnerëve strategjikë, fuqive të mëdha të Europës, për të rikthyer dialogun produktiv e për ta bërë unionin më të fortë, më sovran, më të bashkuar.”

Duda tha se BE-ja me 27 anëtarë duhet të bëhet më e saktë, më tërheqëse, në mënyrë që të tjerët të mos kenë më dëshirë për t’u larguar.

Makron e ka kritikuar disa herë qeverinë e djathtë të Polonisë në lidhje me qëndrimet e tyre kundër pranimit të emigrantëve, për varësinë ekonomike ndaj qymyrit si dhe për përpjekjet e politikës për të kontrolluar sistemin e drejtësisë.

Në vitin 2016, paraardhësi i tij, Fransua Holand, anuloi një vizitë të planifikuar në Poloni pasi vendi refuzoi marrëveshjen për blerjen e helikopterëve francezë.

Presidenti francez tha se do të donte që vizita e tij të ishte “një pikë kthese” në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe një mundësi për të sqaruar çdo mosmarrëveshje.

Franca është pro-Europës

Marrëdhëniet me Rusinë kanë qenë  pikë kryesore e bisedimeve, teksa Polonia kërkon të shtohen sanksionet kundër Moskës, pas aneksimit të Krimesë, ndërsa vetë Franca kërkon dialog.

“Franca nuk është bërë pro-Rusisë, siç dëgjoj të thonë. Franca nuk është as pro, as kundër Rusisë. Franca është pro-Europës”, tha Makron.

“Nuk është në interesin tonë që të mos përballemi me probleme për sa i përket marrëdhënies me Rusinë, duke lejuar kështu që të mblidhen konfliktet e pazgjidhura e të shtohen mosmarrëveshjet”, tha ai.

Presidenti francez shtoi se dialogu që ai dhe kancelarja Merkel ishin përpjekur të rikthenin me Rusinë, kishte dhënë fryte duke sjellë zhvillime, përfshi këmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Të mos jemi naivë. Dialogu na lejon të gjejmë zgjidhje të përbashkëta”, deklaroi Makron.

Ai shprehu shqetësim për ndryshimet që po i bën sistemit gjyqësor partia e djathtë në Poloni, “Ligj dhe Drejtësi”, duke shtuar kontrollin politik. Makron bëri thirrje që të shtohet dialogu me drejtuesit e BE-së në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit që ka pasur Polonia me zbatimin e ligjit.

“Presidentit Duda i fola me ndershmërinë që i detyrohemi njëri-tjetrit, si partnerë europianë, në lidhje me shqetësimet që janë ngritur për shkak të reformave të ndryshme me sistemin e drejtësisë”, tha Makron.

“Shpresoj që dialogu me Komisionin Europian të shtohet në javët në vazhdim, sepse e di që vlerat e lirisë e drejtësisë janë të rrënjosura thellë në historinë e Polonisë”, shtoi ai.

Duda tha se vizita e një presidenti francez në Poloni, për herë të parë pas shumë vitesh, ishte një zhvillim i vlefshëm për Poloninë.

Gjatë bisedimeve me kryeministrin Moraviecki, Makroni shprehu nevojën për të shtuar praninë ushtarake të Europës në rajonin Sahel të Afrikës, ku trupat e tyre janë duke luftuar xhihadistët. Franca deklaroi këtë të diel se do të dërgonte 600 ushtarë të tjerë, për ta çuar numrin e trupave në 5100.

Makron ofroi gjithashtu ekspertizën franceze për të ndihmuar Poloninë me zhvillimin e përdorimit të energjisë bërthamore, si dhe mbështetje financiare nga Europa me përpjekjet e shumta që po bën vendi për të hequr përdorimin e qymyrit, i cili vazhdon të jetë burimi kryesor i energjisë në vend.

Delegacioni francez përbëhej nga ministrat e punëve të jashtme, të mbrojtjes, të financës dhe të mjedisit.

Këtë të martë, Makron do të shkojë në qytetin jugor të Krakovit, ku do të  vizitojë Kështjellën e Vavelit dhe do të mbajë një fjalim te Universiteti Jagiellonian në lidhje me vlerat europiane dhe bashkëpunimin midis vendeve.

Programi i tij zyrtar përfshin takime me intelektualë polakë dhe francezë të shquar që jetojnë në Poloni.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?