English

Mali i Zi, dhunë në parlament pas miratimit të ligjit për komunitetet fetare

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Gjatë mëngjesit të së premtes, ligjvënësit malazez kanë miratuar një ligj për komunitetet fetare, i cili ka ngjallur mjaft debate kohët e fundit në vend, pavarësisht se deputetët e opozitës pro-serbe janë arrestuar pas përplasjeve në parlament.

- Advertisement -

Me shpresën për ta vonuar votimin gjatë mbrëmjes të së enjtes, deputetët pro-serb nga Fronti Demokratik shkuan drejt folësit të Kuvendit dhe i hoqën mikrofonin. Nga pamjet e transmetuara në internet prej aleancës politike të djathtë, shfaqen policë civil me maska kundërgaz duke u munduar të ndërhyjnë në skenën kaotike.

Policia ka arrestuar 22 persona, prej të cilëve 17 ishin ligjvënës nga Fronti Demokratik, kanë deklaruar autoritetet. Të gjithë janë lënë të lirë përveç tre personave, mbi të cilët rëndon akuza “parandalimi i një zyrtari për të kryer detyrën e tij”

Çfarë është ky ligj?

Legjislacioni në fjalë detyron komunitetet fetare të deklarojnë në një regjistër gjithë pronat e tyre si dhe prova të pronësisë përpara vitit 1918 – kur Mali i Zi iu bashkua Mbretërisë Ballkanike të drejtuar nga Serbët dhe humbi pavarësinë – në mënyrë që të ruajnë pronën e tyre.

Ligji u aprovua nga 45 deputetë të koalicionit qeverisës.

Kush e kundërshton atë?

Kisha Ortodokse Serbe e ka dënuar ligjin teksa e ka cilësuar si “diskriminues dhe jo kushtetues”.

Sinodi i Shenjtë i Ipeshkvijve argumentoi në një deklaratë të mërkurën se ky ligj do të lejonte qeverinë të “merrte me dhunë kisha dhe manastire” të cilat i përkasin atyre.

Kisha ka mbështetjen e politikanëve pro-serb dhe mbështetësve të tyre. Qindra protestues u mblodhën të enjten në Podgoricë për të kundërshtuar ligjin përpara se të votohej në parlament, duke përfshirë dhe figura të famshme kishtare.

Ndër tre ligjvënësit që ndodhen përpara akuzave janë Andrija Mandic dhe Milan Knezevic, të dënuar me 5 vite burgim në maj, pasi kanë marrë pjesë në një grusht shteti të orkestruar nga Rusia në 2016 kundër kryeministrit të asaj kohe dhe Presidentit aktual pro-Perëndimor Milo Djukanovic. Ata janë të lirë dhe janë në pritje të apelit.

Kisha Ortodokse Serbe

Me një popullsi prej 622 mijë banorësh, malazezët përbëjnë pjesën më të madhe të banorëve me 44.5 për qind të popullsisë, ndërsa më pas vijnë serbët të cilët përfaqësojnë mbi një të tretën e popullsisë.

Feja ortodokse është feja kryesore në vend dhe ka besimtarë të shumtë nga të dyja grupet, 88 për qind të malazezëve dhe 98 për qind të serbëve. Kisha kryesore është Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa Kisha Ortodokse Malazeze nuk njihet nga kishat e tjera ortodokse.

Presidenti Milo Djukanovic ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se promovon politika pro-serbe dhe kërkon të minojë legjitimitetin e shtetit që kur u nda nga Serbia në 2006.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?