Përzgjedhja e Manastireve të Luginës së Drinos në “World Monuments Watch 2025” cilësohet një mundësi e mirë për promovimin dhe restaurimin e vlerave që mbartin.
Përgjatë luginës së lumit Drino, në zonën e Gjirokastrës ndodhen monumente kulture, duke përfshirë edhe objektet e kultit, të cilat prezantojnë elementë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.
Manastiret e Ravenës, Dhuvjanit, Spilesë, etj., mbartin vlera historike dhe religjioze për zonën e Jugut dhe më gjerë.
“Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për sa i takon zhvillimit dhe ruajtjes së këtyre monumenteve sepse në vetvete këto janë në zona të thella malore, të cilat po nuk ishin në qendër të vëmendjes dhe po nuk u bënë vunerabël ndaj turizmit, të cilat do ti rritin dhe jetëgjatësinë e tyre. Në momentin që janë jashtë vëmendjes mund të sjellin një degradim, siç ka ndodhur gjatë këtyre viteve”, thotë Ardis Duka, ekspert i Monumenteve të Kulturës.
Tashmë manastiret në Luginën e Drinos janë pika të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Mirëmbajtja dhe restaurimi i tyre është i domosdoshëm për tërheqjen e vizitorëve në rajonin jugor.
“Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore po bën të gjithë përpjekjet që këto monumente kulture kaq të rëndësishme të vendosen në qendër të vëmendjes për investim, për restaurim apo dhe për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në zonat në të cilat janë”, shprehet ai
Turizmi religjioz po tërheq gjithmonë e më shumë turistët vendas dhe të huaj në rajonin e Gjirokastrës.
LEXONI GJITHASHTU:
- Manastiret e Luginës së Drinos përzgjidhen për World Monuments Watch 2025
- Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire