English

Blerja e 30 mijë testeve, Manastirliu në Euronews Albania: Nuk po ndryshojmë strategjinë, jemi furnizuar vazhdimisht

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Në studion e Ilva Now ministrja e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu foli rreth numrave në rënie të të infektuarve nga COVID-19 në vend. Manastirliu tha se numri i ulët i të infektuarve sot nuk mund të jetë tregues për trendin e epidemisë. 

- Advertisement -

“Jemi në ditën e 28 të epidemisë në Shqipëri. Kemi arritur në një sheshim të kurbës, por e gjitha kjo nuk mund të jetë e sigurt, pasi kemi të bëjmë me një virus shumë të rrezikshëm,” tha Manastirliu, duke shtuar se COVID-19 ka shumë të panjohura.

Ministrja e Shëndetësisë tha se është koha të tregohemi të matur dhe të kujdesshëm për hapat që do të ndërmerren pasi edhe vendet e tjera që kanë nxituar të shpallin një fitore ndaj COVID-19 po rishikojnë masat e tyre.

Pyetur nga gazetarja Ilva Tare nëse ka ardhur koha të fillojë lehtësimi i masave shtrënguese, Manastirliu tha se po peshohet “një relaksim me pikatore i masave”.

“Është një situatë nga e cila nuk kemi 100% siguri për zhvillimet që do të ketë ky virus. Askush nuk e di sot nëse do të ketë një ringritje të kurbave edhe në vendet ku kurbat janë të sheshta. Nuk e dimë ende si do të përballemi në të ardhmen me këtë virus, por rëndësi ka të zbatojmë masat,” u shpreh Manastirliu.

Pyetur më tej lidhur me blerjen e 30 mijë testeve, përballë thirrjeve në rritje edhe nga opozita për shtimin e testimeve, ministrja Manastirliu deklaroi se nuk bëhej fjalë për ndryshim strategjie, por furnizim në vazhdimësi.

“Furnizimi i shkon strategjisë së sotme, siç e ka thënë dhe Komiteti Teknik sot, që s’po vlerësojmë ndryshimin e ndonjë strategjie, por garancia që duhet të japim është që të kemi furnizim në vijim me teste. Jemi të gatshëm që nëse komiteti vendos të rrisë numrin e testimeve, ne t’i kemi të disponueshme, por kjo nuk do të thotë që kjo s’është bërë më parë,” u përgjigj ministrja. 

Ministrja tha se do të aplikohet një test i ri në ndihmë të diagnozës që lidhet me testimin e gjakut, i cili është gati dhe do të nisë aplikimin në udhëzimet e ISHP.

Znj. Manastirliu tha se janë testuar 560 persona nga personeli mjekësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë nën 10 për qind, janë vetëm 8 për qind e tyre të prekur, ndërkohë që janë 20 mjekë dhe infermierë që janë shëruar nga kjo sëmundje.

E pyetur nëse Ministria e Shëndetësisë ka një strategji daljeje nga kjo situatë siç kanë nisur ta bëjnë publike edhe vendet e tjera, ministrja Manastirliu tha se është menduar strategjia e daljes nga situata përmes forcimit të kapaciteteve diagnostikuese në funksion të një shpërndarje më të gjerë të kapaciteteve laboratorike.

“Ndaj së shpejti do të nisin testimet përmes një aparature të re në QSUT dhe gjithashtu dhe tek spitali ‘Shefqet Ndroqi’ duke e hapur pjesën e kapaciteteve laboratorike jo vetëm në ISHP por edhe në spitale të tjera”, tha ajo

Sa i përket parashikimeve për një datë se kur mund të rinisin aktivitetet në shkolla, çerdhe etj., ministrja tha se kjo është një situatë shumë dinamike që do të vlerësohet mbi bazë ditore.

“Do vlerësohet kurba epidemiologjike, kështu do të merren të gjitha vendimet për çlirimin e kufizimeve”, tha ministrja.

 

Etiketimet

spot_img

TË FUNDIT

spot_img

Sondazh

Kush mendoni se ishte fituesi i debatit të parë presidencial në SHBA?