Refugjatë që valëvitin një flamur të bardhë në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë, varka që shkojnë drejt ishujve grekë. Këto pamje kujtojnë krizën e refugjatëve të vitit 2015.
Tregojnë edhe një herë mëdyshjen me të cilën përballet Europa: të mbrojnë kufijtë, apo të respektojnë të drejtat e njeriut.
Pasi Turqia vendosi të hapë kufirin me Greqinë, me mijëra emigrantë u nisën drejt BE-së. Greqia u përgjigj menjëherë, e me forcë.
Kryetari i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Manfred Ueber, i cili vjen nga e njëjta familje politike si kryeministri grek, fajëson udhëheqësin turk për situatën e krijuar.
“Duhet ta themi hapur se dhuna që po krijohet në kufijtë tanë është dhuna e Erdoganit. Ai është përgjegjësi. Kryeministri grek ka thënë publikisht në ditët e fundit se kufiri është mbyllur. Pikë. Qeveria turke u ka dhënë njerëzve shpresa që nuk janë realiste. Shpresojmë që Erdogani të heqë dorë nga ky përshkallëzim’, tha ai.
Qeveria greke tha se do t’i pezullonte kërkesat për azil për një muaj. Drejtuesit e BE-së vizituan vendin duke shprehur mbështetjen e tyre. Megjithatë, OKB thotë se Athina nuk ka të drejtë t’i ndërpresë kërkesat për azil. ‘Human Rights Ëatch’ kërkon që BE të vazhdojë t’u qëndrojë parimeve humanitare.
“Azilkërkuesit dhe emigrantët janë përdorur si gurë shahu nga qeveria turke, për t’i bërë presion BE-së dhe për t’i vënë në një situatë më të vështirë se kur nisi kriza”, tha Filip Dam, Human Rights Ëatch.
“Duhet të nisim zbatimin e një procesi të ri, që të sapoardhurit që kanë kërkuar azil në Greqi në vitet e fundit të përfitojnë nga një mekanizëm që të realizojë shpërndarjen e tyre në vende të tjera të BE-së”.
Përpjekjet për mbijetesë e emigrantëve që shpresojnë të futen në Europë është kthyer në një çështje politike tepër delikate për vendet anëtare.