Udhëheqësja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, thotë se BE-ja gjendet përballë pasojash më të mëdha sesa Britania nga “big bengu” që ka shkaktuar Brexit, megjithëse ajo nuk dëshiron që Franca të lërë bllokun.
Plani i saj për të reformuar BE-në, në një aleancë kombesh, duhet bërë përndryshe “edhe vende të tjera do të largohen”, ka thënë ajo për Euronews.
Le Pen ka qenë dikur në favor të largimit të Francës nga BE-ja. Partia e saj, Tubimi Kombëtar, më parë i njohur si Fronti Kombëtar, mbështeste Frexit dhe ajo madje pati premtuar për një referendum të ngjashëm me atë të Mbretërisë së Bashkuar.
Megjithatë, qëndrimi i saj ka ndryshuar që kur ajo ndryshoi politikat partiake pas humbjes në zgjedhjet presidenciale kundër Emmanuel Macron.
Europa është “një burg”
Tubimi Kombëtar kërkon ta kthejë BE-në si një aleancë kombesh. Le Pen thotë se ajo beson që politikanët e së djathtës ekstreme brenda BE-së kanë tashmë pushtetin për të “ndryshuar rrënjësisht” Europën.
“Ndoshta edhe Britania e Madhe mund të na bashkohet sërish kur të kemi ndërtuar diçka ku secili komb të ruaj liritë e veta”, tha ajo.
Ajo e konsideron Europën si “një burg” edhe nëse një nga vendet themeluese mund të largohet.
“Brexit iu deshën tre vite… kishte një pengim të mirëfilltë nga ana e liderëve të Bashkimit Europian, të cilët zor se e fshehën dëshirën e tyre për ta bërë këtë divorc sa më të vështirë të qe e mundur”, tha Le Pen.
Proteksionizmi
Le Pen shtoi se veprimet e kombeve të tjera, duke përfshirë dhe përpjekjet e Presidentit të SHBA Donald Trump për të vendosur tarifa mbi disa produkte, kanë vërtetuar se proteksionizmi është mënyra e duhur për të përparuar ekonomikisht.
“Sot, ne kuptojmë se, po, do të na duhet të negociojmë në mënyrë efektive dhe ndoshta edhe ne mund të bëjmë një lloj mbrojtje ekonomike për vendet tona”, tha Le Pen.