Komisioni Evropian ka përshëndetur marrëveshjen paraprake për fluturimet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të KE, Peter Stano, shpjegoi se kjo është një nga rrugët që çon drejt normalizimit mes dy vendeve.
“Ajo që mund të them për këtë çështje që bën fjalë për fluturimet tregtare, dhe ky është i vetmi cilësim që do të përdorja, është që BE-ja mbështet të gjitha veprimet dhe masat që lehtësojnë lëvizjen dhe komunikimin mes njerëzve në Serbi dhe në Kosovë.
Kjo është një prej rrugëve për të ecur drejt normalizimit të marrëdhënieve në disa fusha si dhe për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal dhe në përgjithësi ndërlidhjen e transportit mes vendeve që vetëm e rrisin kontaktin mes njerëzve, gjë që bën të përfitohet nga shkëmbimet, për biznesin, për kulturën, turizmin dhe për një njohje më të mirë.”-tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.
Stano theksoi se kjo marrëveshje për fluturime direkte mes dy vendeve shihet si një sinjal pozitiv, i cili vetëm mund të mbështetet, por nuk komentoi për faktin që një marrëveshje e tillë u arrit me ndërhyrjen amerikane dhe jo të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i BE-së shtoi gjithashtu se kjo marrëveshje nuk ndikon mbi qëndrimin e BE-së mbi statusin e Kosovës, gjë që duhet zgjidhur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Por, kjo marrëveshje ka marrë jehonë të madhe edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti i vendit, Donald Trump reagoi në “Twitter” për këtë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të firmosur në Berlin, ndërsa këtë akt shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka cilësuar si “fitore”.
[twitter_feed=https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1219433612753289216]
“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit ambasadorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe ambasadorit Richard Grenell”, shkroi Trump në “Twitter”.