Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka kritikuar dje në Parlament projektligjin për marrëveshjen e qendrave kulturore midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bushati tha se kjo marrëveshje gabimisht barazon statusin e pakicave kombëtare, në një kohë kur shqiptarët në Maqedoninë e veriut janë shtetformues kurse maqedonasit në Shqipëri janë pakicë kombëtare.
Bushati deklaroi në Parlament se pozicioni i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është i dallueshëm edhe përkundrejt pozicionit të shqiptarëve në Mal të Zi, Luginën e Preshevës, apo kudo ku jetojnë shqiptarët.
Marrëveshja parashikon hapjen e qendrës kulturore në ambasadën në Shkup për promovimin e kulturës shqiptare, por Bushati thotë se 1/3 e territorit maqedonas janë shqiptarë, ka tre Universitete shqiptare dhe tre televizione të mëdha ku flitet shqip.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe të qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, u miratua me 96 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim.