Kosova përkujtoi sot 45 viktimat e masakrës së Reçakut, të vrarë mizorisht nga forcat serbe me 15 janar, të vitit 1999.
Kjo ngjarje ndër më tragjiket e luftës në Kosovë shënon momentin e nxitjes së reagimit nga komuniteti ndërkombëtar, pas deklaratës së ambasadorit të atëhershëm të OSBE-së, William Walker, i cili nga vendi i ngjarjes e cilësoi si “krim kundër njerëzimit”.
Në fshatin që mbahet mend për Luginën e vdekjes zhvilloi homazhe paraditen e sotme presidenti i Kosovës, z.Hashim Thaci dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta.
Shteti serb vazhdimisht refuzon krimin duke pretenduar se viktimat ishin ushtarë të armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vendi i tij do të kërkojë zbardhjen e masakrave që ka kryer Serbia mbi qytetarët e Kosovës.
Ai shprehu rezerva kundrejt drejtësisë ndërkombëtarë, e cila sipas Thaçit, ka zgjedhur të heshtë përballë 400 masakrave të regjimit ish-jugosllav mbi popullsinë e pafajshme të shqiptarëve të Kosovës.
Kreu i shtetit kosovar tha se herët apo vonë, Serbia duhet të përgjigjet për këto krime.
“Edhe kjo masakër, sikur të gjitha masakrat do të jenë ato që ne do të kërkojmë vazhdimisht që të zbardhen. Dua të shpreh revoltën time edhe si President i Kosovës edhe sot kur drejtësia ndërkombëtare për fat të keq, duke mos dashur të mos ia prish qejfin Serbisë ka heshtur për të zbardhur rastet për 400 masakrat e kryera në Kosovë. Shteti i Serbisë duhet të japë llogari herët a vonë për gjenocidin dhe spastrimin etnik që ka kryer në Kosovë”-tha mes tjerash Thaçi.
Kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta gjatë fjalës së tij para mediave në Kosovë tha se ngjarja e Reçakut me 45 persona të vdekur shokoi të gjithë botën. Ai tha se drejtësia duhet të bëjë punën e vetë dhe përgjegjësit e këtij krimi duhet të japin llogari para ligjit.
“Kjo masakër dhe kjo sakrificë e pashembullt e popullit të Reçakut që shokoi mbarë botën, por dhe që vuri në lëvizje diplomacinë botërore, përmes Konferencës së Rambujes për kërkuar një zgjidhje për të ndalur gjenocidin në Kosovë dhe më pas përmes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Këto akte me të gjitha zhvillimet dhe pasojat e saj tregoi se liria dhe dinjiteti njerëzor triumfon ndaj gjenocidit, dhunës dhe barbarizmit. Kjo ishte sakrificë që solli edhe drejtësinë ndërkombëtare përmes lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Dhe sot është koha për të kujtuar këtë ngjarje, dhe ngjarje të tjera të ndodhura në Kosovë, por edhe për të kërkuar që të shkojë deri në fund drejtësia për të gjitha ata, të cilët orkestruan dhe realizuan këtë krim kundër njerëzimit”-theksoi z.Meta.