Qytetarët janë ankuar se nuk po gjejnë dezinfektantë në farmaci pas përhapjes së gjerë të coronavirusit COVID-19 në Evropë, por mjekët tregojnë se mjafton larja e duarve si një masë për ruajtjen nga ky virus.
“Detergjenti që ne përdorim të kalojë në të gjithë pjesët e duarve dhe bëhet një shpërlaje me ujë të bollshëm”, tha mjekja Xhentiljana Nezaj.
Dezinfektanti i duarve është i domosdoshëm vetëm kur nuk kemi mundësi te lajmë duart me ujë të bollshëm. Mjekja Xhentiljana Nazaj na këshillon të tregohemi më të kujdesshëm në ambientet ku jetojnë dhe punojnë.
“Në ambientet ku ata punojnë ose jetojnë duhet të bëhet një dizinfektim i mirë i ambientit. të përdorim gjithmonë parakrahun që të mos lejojmë përhapjen e spërklave në ambient”, shtoi znj. Nezaj.
Pas përhapjes së virusit vdekjeprurës edhe në Itali, në spitale vihet re një përdorim i gjerë i maskave kirurgjikale nga mjekët si dhe vendosja e klorit në koridore për dezinfektim.
Mjekja e familjes na tregon se së fundmi ka patur pacientë me simptoma gripi, të cilët janë paraqitur në spital të shqetësuar.
“Për kohët e fundit shihet dhe një merak i pacientëve dhe një shqetësim i tyre për çdo simptomë të vogël të rrugëve të frymëmarrjes janë të merakosur”, theksoi ajo.
Mjekja na sqaron se rast i dyshimtë me coronavirus është kur simptomat e gripit janë te një person i cili ka udhëtuar jashtë vendit 14 ditët e fundit apo ka pasur kontakte me persona të ardhur nga vendet e prekura nga ky virus.
“Nëse kemi një rast të tillë të dyshimtë atëherë personi pajiset me një maskë, largohet nga pacientët e tjerë dhe vendoset në një dhomë të izoluar dhe lajmërohet urgjenca kombëtare”, u shpreh ajo.
Për këtë arsye disa qytetarë të frikësuar nga coronavirusi pohojnë se kanë shtuar masat e higjienës së tyre personale.
Mendimet e qytetarëve
“Ndihemi të frikësuar, por mesa kam dëgjuar nuk kishte ndonjë mbrojtje shumë maksimale ajo maska.”
“Mundohemi të tregohemi të kujdesshëm nëpër ambiente publike.”
“Po simptoma gripi kemi pasur po kemi ndenjur vetëm në shtëpi, nuk jemi ekspozuar në ambiente publike.”