Me përhapjen e coronavirus COVID-19 edhe në vendet fqinje Ministria e Shëndetësisë urdhëroi shkollat që të shtojnë masat higjieno-sanitare. Mësuesit tregojnë se çdo ditë fëmijët këshillohen sesi të mbrohen nga ky virus dhe se ka patur një sensibilizim jo vetëm tek fëmijët por edhe tek prindërit.
Me dezinfektues dhe me kujdesin e shtuar të larjes së duarve nxënësit po zhvillojnë orët mësimore. Higjiena personale prej disa ditësh është në qendër të vëmendjes në shkolla. Mësuesja e klasës së tretë në shkollën “Vasil Shanto” në kryeqytet, Eleni Kaci na tregon se çdo ditë këshillon fëmijët sesi të mbrohen nga coronavirusi, i cili po përhapet me shpejtësi në botë. Nxënësit shprehen se tashmë janë edhe më të kujdesshëm për higjienën e tyre personale.
Nxënësit tregojnë për Euronews Albania si kujdesen për higjienën personale
“Sapo mora vesh që doli ky infeksioni i ri, i laj më shpesh duart në ditë”
“Në këtë kohë gripi nuk duhet të përqafojmë ose puthim njëri-tjetrin”
“Ne nuk duhet ta prekim me duar hundën, gojën ose sytë”
“Mua kur më vjen për të teshtijë, teshti tek bërryli dhe kështu nuk infektoj edhe shokët.”
“Unë çdo ditë mbaj solucion me vete.”
“Unë nuk kam frikë nga coronavirus, sepse jam shumë e kujdesshme”
Përveç këshillave ndaj nxënësve, drejtoresha e shkollës na tregon se që pas urdhrit të ministrisë së Shëndetësisë për shtimin e masave higjeno-sanitare, në ambientet shkollore janë vendosur disa tabela informuese.
“Çdo mësues sa herë që hyn në klasë e ka marrë për detyrë që t’iu kujtojë fëmijëve për higjienën personale dhe për higjienën e shkollës. Higjienizimi i tualeteve, përdorimi i klorit, përdorimi i detergjenteve të tjerë ekstra, i açeve apo acideve që janë të rekomandueshme dhe pretendohet që e djegin si virus janë bërë më shumë seç duhet”, theksoi drejtoresha e shkollës.
Ky virus sipas drejtoreshës nuk ka sjellë shqetësim të madh te fëmijët, por ajo çka vihet re është rritja e ndërgjegjësimit për higjienën personale.
“Në këtë virus fëmijët janë të përjashtuar, prandaj jam shumë e kënaqur për këtë”, tha një nxënës.