Wuhani, qyteti kinez i njohur si zanafilla e coronavirusit COVID-19, tani po shkon drejt stabilizimit, përmes masave të jashtëzakonshme dhe sakrificave të mëdha. Zeyu Xu, gazetar i agjencisë kineze të lajmeve Xinhua, i cili raporton prej muajsh nga Wuhani, në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania tregon se si po përballohet furnizimi me ushqim i njerëzve që qëndrojnë të mbyllur në shtëpi.
Gazetari, Zeyu Xu pohon se situata tashmë në Kinë ka nisur të ndryshojë pozitivisht pas virusit vdekjeprurës, i cili vuri në lëvizje të menjëhershme shumë vende të botës. Me përhapjen e këtij virusi po përballen shumë vende nga i gjithë globi, ndërsa lajmi i mirë është se, shumë persona të prekur nga virusi janë shëruar, edhe pse akoma shkencëtarët nuk kanë gjetur vaksinën e duhur kundër COVID-19.
Intervista e gazetarit kinez për Euronews Albania:
Pyetje: Si paraqitet situata në Wuhan tani? Kemi parë një sërë raportesh që flasin për përmirësim, ndaj, duke qenë se ju jeni atje duke raportuar nga terreni, a mund të na thoni edhe se cilat kanë qenë masat kryesore që janë marrë?
Gazetari: Situata po ndryshon përfundimisht për më mirë. Kam arritur në Wuhan në 3 shkurt dhe në atë ditë ekzistonte një infeksion i ri me mbi 1,200 të prekur. Nëse shohim shifrat, sot regjistrohen më pak se 200 persona dhe vetëm nëntë raste jashtë Wuhan në tokën kineze. Kështu që përfundimisht do të thoja se situata është më mirë, krahasuar me më parë.
Gjithashtu, ky lloj ndryshimi është për shkak të masave të trefishta. E para është që u rriten burimet mjekësore si dhe u shtua izolimi në mbi 45 spitale të përcaktuara në Wuhan. Që nga hera e fundit që kam kontrolluar janë mbi 30 spitale aktive lëvizëse të konvertuara nga ambientet publike si dhe në fazën e hershme të shpërthimit të epidemisë ishin vetëm 60,000 punonjës mjekësorë që mbulonin rajonin e Hubei, pjesë e të cilit është Wuhani.
Tani ka edhe 40,000 punonjës mjekësorë nga pjesë të tjera të Kinës që i janë bashkuar përpjekjeve. Unë mendoj se rregulli i tretë, masë shumë e rëndësishme, është kontrolli i burimit të epidemisë, që do të thotë kryerja e shqyrtimit shëndetësor në të gjithë qytetin. Deri më tani është bërë në 33,000 komunitete lokale.
Pyetje: Si po punohet në terren për të mbuluar nevojat e njerëzve në kushtet aktuale?
Gazetari: Në përgjithësi, nevojat e përditshme kanë qenë nën kujdesin e autoriteteve lokale, ndërsa shpërndarja është përballuar nga niveli qendror dhe organizatat administrative. Këto janë komunitetet e lagjeve, të cilat janë përgjegjëse për një gamë të gjerë të nevojave për banorët e zonës, përfshirë këtu, monitorimin e temperaturës së trupore të banorëve dhe shpërndarjen e furnizimeve jetike falas në pragun e shtëpisë së atyre që ndodhen në karantinë. Komunitetet e lagjeve, gjithashtu ndihmojnë në koordinimin e automjeteve për të dërguar pacientët në spital.
Pyetje: Cilat janë efektet mbi popullsinë, në kushtet e një izolimi të vendosur për të parandaluar përhapjen e virusit?
Gazetari: Për banorët e zonës, do të thoja që kjo periudhë shumë e gjatë e qëndrimit në karantinë ka një ndikim psikologjik. Kam hasur disa këmbësorë në rrugë, dy ose tre javë më parë, që më kanë thënë që janë mërzitur duke qëndruar brenda edhe pse e dinë që të gjitha dyqanet apo restorantet janë mbyllur, ata ende duan të dalin jashtë, të marrin ajër të pastër ose diçka. Pra, në thelb, nëse duan të bëjnë aktivitete sociale, ato duhet t’i bëjnë në internet.
Pyetje: Pra, po flasim për një kufizim të lëvizjes dhe transportit. Mund të na tregoni më shumë mbi ndalesat që janë vendosur?
Gazetari: Që nga 23 janari i gjithë transporti publik qyteti është pezulluar dhe kjo ka ndodhur gjithashtu me linjën ajrore dhe shërbimin hekurudhor. Kështu që unë mendoj, ashtu si dy javë më parë, masa e karantinës është rritur në një nivel të ri që të gjithë banorët të qëndrojnë në komunitetet e tyre të banimit.
Pyetje: Gjithë këto masa, përveç sakrificave të njerëzve në Wuhan, tregojnë edhe nevojën për sakrifica nga vetë autoritetet. Cilat kanë qenë veprimet e ndërmarra?
Gazetari: Qeveria qendrore ka bërë një sakrificë të madhe me kontributin e saj në situatën aktuale. Do të jap një shembull. Supermarketet që ruajnë çmimet e mallrave. Ka pasur kërkesë, një kërkesë të madhe për gjërat e domosdoshme ditore në supermarkete. Gjithashtu, ka pasur subvencione për ata banorë në Wuhan që banojnë me qira, duke qenë se ata nuk mund të fitojnë para duke qëndruar mbyllur.
Pyetje: Nga ana tjetër, çfarë ndodh me ata që janë shëruar?
Gazetari: Kam folur me pacientë që janë shëruar nga virusi dhe kanë dalë nga spitali. Në veçanti do të përmendja një shembull me një 60-vjeçar, ku kuptova gjithë procesin nga shërbimi ambulant, te shtrimi në spital, trajtimi atje dhe më pas dalja prej aty i shëruar – një proces që i zgjat rreth tre javë. Gjatë kohës së tij më të keqe në spital, kur temperatura e i shkoi 39 gradë celsius, ai tha se ishte përgatitur për më të keqen. Por ai besoi tek mjekët dhe infermierët, të cilët i dhanë një trajtim të kombinuar mes mjekësisë perëndimore dhe mjekësinë tradicionale kineze. Ai tha që kjo është arsyeja pse ai u shërua. Por edhe pas daljes nga spitali ka një periudhë prej 14 ditësh karantine në shtëpi, e cila përcakton nëse dikush është apo jo akoma i infektuar. Kështu që në thelb, pas 14 ditëve në karantinë, ai do t’i kthehet jetës aty ku e ka lënë.Sigurisht, është vetëm çështje kohe që Kina dhe Wuhan do ta fitojnë këtë luftë kundër epidemisë.