Pas konfirmimit të rasteve të para me coronavirus, strukturat shëndetësore kanë shtuar masat e kujdesit në të gjitha institucionet. Masa kontrolli dhe disiplinë të shtuar ka pasur edhe në shtëpitë e të moshuarve në qytetin e Tiranës. Sipas një urdhri të ri, ata nuk lejohen të lëvizin jashtë ambientit të shtëpisë së pleqve, ndërsa kjo masë duket se i ka mërzitur disi personat e moshës së tretë.
Gazetarja e Euronews Albania, Romina Braho bisedoi me një të moshuar, i cili tregoi për shërbimin që marrin dhe përkujdesjen e drejtorisë përkatëse. Ai thotë se drejtoria i ka këshilluar për ruajtjen e higjienës, ku dhe u ka kërkuar të shmangin shtrëngimin e duarve me të afërmit e tyre.
“Kjo masë me thënë të drejtën dhe realitetin është e mirë se të ndalon që të mund të marrësh infeksionin nga njerëz të tjerë, nga takimet që mund të bësh dhe i largohesh kësaj të keqeje. Drejtoria na ka vënë në dijeni për këtë punë se ka rënë ky virus, edhe drejtoria na ka folur vazhdimisht për higjienën personale, na kanë sjellë edhe një dezinfektues për duart, të mos bëjmë takime me njerëz të tjerë, të largohemi edhe njerëzve tanë dhe të mos takoheni me duar, por për së largu”, tha ai.
Ai shprehet se kujdesi ndaj tyre është shtuar, ndërsa thekson se nuk ndihet aspak i frikësuar nga COVID-19.
“Mosha jonë, rrezikun nuk e ndjej fare se është mosha 82- 83 vjeç. Jetën e kam kaluar. Edhe me masat që janë marrë, rregulli dhe pastërtia këtu në këtë shtëpi është shumë e mirë. Këtu zonjat punojnë dhe janë të përkushtuara edhe gjellën dhe drekën ua çojnë nëpër dhoma të moshuarve”, shtoi i 83-vjeçari.