Komisioni i Ligjeve miratoi sot aktin normativ për masat shtesë për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe korrupsionin. Më shumë se sa diskutimet për nismën ligjore, pikante gjatë mbledhjes ishte miratimi i kalendarit të punimeve të komisionit ku parashikohet mbledhje në datën dy mars dhe seancë plenare pasdite po në të njëjtën datë.
Deputetët e opozitës parlamentare patën habi për këtë datë pasi në të njëjtën ditë është paralajmëruar edhe protesta e Presidentit Ilir Meta, por kryetari i Komisionit, Ulsi Manja pati një përgjigje për këtë.
“S’ka problem, data 2 mars është festë në Lezhë, festohet në Lezhë. Nuk ka asnjë problem, nëse kolegët kanë ndërmend që atë ditë të ikin në Lezhë ne mund ta shtyjmë mbledhjen e komisionit për pasdite”, u shpreh z. Manja.
Po pasditen e dy marsit është parashikuar zhvillimi i seancës plenare në orën 17:00, i njëjti orar me të cilin Presidenti ka thirrur njerëzit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kuvendi nga ana e tij, ka në rend dite diskutimin e problematikave të evidentuara gjatë takimeve me popullin, ndërsa në krahun tjetër Presidenti ka thirrur po popullin për të nënshkruar atë që ai e cilëson si “besëlidhja e re”.