English

Mbështetës i Hitlerit, apo shenjtor në kohë lufte? Hapen arkivat për Papa Piun XII

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Disa e kanë quajtur shenjtor, disa “Papa i Hitlerit”. Papa Piu XII, i cili ishte në Selinë e Shenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka qenë pjesë e diskutimeve për shumë vite, në lidhje me rolin e tij gjatë Holokaustit.

- Advertisement -

Vatikani ka vendosur të hapë arkivat për Papa Piu XII më 2 mars 2020. Nisma ka tërhequr interes të madh nga historianët dhe kërkuesit. Më shumë se 150 prej tyre janë regjistruar për të parë bibliotekën apostolike.

Kardinali Hose Tolentino Kalaka de Mendonca, kreu i bibliotekës së Vatikanit, tha të enjten se mirëpresin kërkues nga të gjitha kombësitë, besimet dhe ideologjitë.

“Kisha s’ka arsye pse të ketë frikë nga historia”, tha ai për gazetarët.

Por sa dritë mund të hedhë kjo nismë mbi punën e Papa Piu-t XII?

Pope Pius XII greets pilgrims

Pse po i hap arkivat Vatikani?

Zakonisht, arkivat lejohen të hapen 70 vite pas kohës së papacisë. Por Papa Benedikt XVI, mbrojtës i madh i Piusit, e përshpejtoi procesin në mënyrë që kërkuesit të kishin mundësi të hulumtonin. Papa Françesk njoftoi se arkiva do të jetë gati më 2 mars.

 Një nga arsyet se pse u vendos që të hapen më shpejt është pikërisht debati që rrethon këtë rast.

Grupe të ndryshme historianësh dhe hebrenjsh e kanë akuzuar Piun, i cili ka qenë Papë nga vitin 1939 në vitin 1958, se ka heshtur gjatë kohës së Holokaustit dhe nuk ka bërë mjaftueshëm për të shpëtuar jetë njerëzish.

Alan Averi Pek, profesor për Studime Hebraike te Kolegji i Kryqit të Shenjtë, tha se ka prova të forta që Piusi XII të ketë qenë i informuar mbi planet e nazistëve për të shfarosur hebrenjtë.

“Ai ka pasur informacion nga burime të ndryshme. Për shembull, ambasadori polak në Vatikan e ka përditësuar Papën rregullisht”, shkruan eksperti.

“’Kongresi i Botës Hebraike’ i ka bërë thirrje Papës që të dënojë haptazi nazismin. Edhe SHBA-të e kanë informuar Vatikanin në shtator të vitit 1942, dhe u kanë thënë se banorët e Getos së Varshavës po masakroheshin”, shton ai.

Mendohet se heshtja e Piusit ka qenë e motivuar nga kundërshtimi që ka pasur ndaj komunizmit.

“Një nga argumentet më të besuara është se Piusi e ka parë komunizmin si kërcënimin më të madh ndaj krishterimit në Europë, ndaj Gjermaninë naziste e ka parë si pengesën që nuk do ta lejonte përhapjen e komunizmit sovjetik”, shkroi historiani Hose Sançez në një botim të vitit 2002.

piu copy

Por mbrojtësit e  Piusit në Vatikan thonë se ai ka punuar në prapaskenë për t’i luftuar nazistët, e që madje u ka bërë thirrje institucioneve të ndryshme fetare që t’i strehojnë hebrenjtë.

“Arsyeja më e shpjegueshme për sjelljen e Papa Piut është se ai besonte që një protestë e fortë dhe e drejtpërdrejtë kundër terrorizmit nazist vetëm sa do t’i përkeqësonte gjërat për njerëzit e persekutuar”, shkroi Sançez.

Çfarë  mund të mësohet nga arkiva?

David Kertzer, nga universiteti “Braun”, është një nga historianët që do të shohin arkivat që nga dita e parë e hapjes.

Ai tha se i gjithë komuniteti i historianëve po e pret me padurim hapjen e dokumenteve, për shkak të informacionit që do të kenë në lidhje me rolin e Papës gjatë kohës së luftës.

Çfarë do të thotë Lumturimi i mundshëm i Papa Piut XII?

Grupe të ndryshme hebraike dhe historianë kanë debatuar për vite se Vatikani s’ka si të vazhdojë me lumturimin e Papa Piut, pa u hapur arkivat plotësisht.

Ata kanë kërkuar që lumturimi të shtyhet derisa të jetë shuar i gjithë brezi i të mbijetuarve të Holokaustit.

Papa Benedikt e afroi edhe më shumë mundësinë e shenjtërimit të Papa Piut, në dhjetor të vitit 2009, kur konfirmoi se Piu kishte bërë një jetë heroike dhe me vlera të krishtera. Tani duhej vetëm që Vatikani të vendoste mrekullinë që ka ndodhur.

Papa Francesk tha në vitin 2014 se mrekullia nuk është identifikuar ende, gjë që sugjeron se procesi do të vazhdojë të mbahet pezull, të paktën tani për tani.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?