Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve në Shqipëri i është drejtuar me anë të një letre të hapur, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar mbështetjen e saj për të shpëtuar nga uria fëmijët në vendin tonë.
Drejtor i CRCA/ECPAT, Altin Hazizaj, në një lidhje live me Ilva Now shpreh shqetësimin se janë afro 100 mijë fëmijë shqiptarë të cilët po jetojnë sot kushte ekstreme të varfërisë, ndër të tjera edhe për shkak të mbylljes në shtëpitë e tyre nga masat që Shqipëria po zbaton në kuadër të mbrojtjes nga COVID-19.
Ai tha se përllogaritja është bërë mbi dy studime kryesore; kush janë përfitues të ndihmës ekonomike sipas INSTAT dhe në bazë të një studimi të UNICEF që evidenton përqindjen e përafërt të fëmijëve të varfër në vendin tonë.
Por sipas z. Hazizaj ky numër mendohet të jetë më i madh se kaq, me të paktën 154 mijë fëmijë që jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme.
“Përllogaritja niset nga studimi i Bankës Botërore për varfërinë. Në Shqipërinë kemi dy nivele, kemi varfërinë absolute, që përfshin 14-16 për qind të shqiptarëve dhe më pas atë relative, që përfshin 38 për qind të popullsisë. Janë statistika të sakta të bëra nga institucione ndërkombëtare si Banka Botërore”, tha z. Hazizaj.
Z.Hazizaj tha se në këtë kuadër, shqetësues është edhe fakti se shumë prej organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, si për shembull UNICEF, kanë zgjedhur edhe ato të heshtin apo të mos bëjnë asgjë për këta fëmijë.
“Ajo që na bën përshtypje këto 3 javë është ajo që po bën UNICEF në Kosovë dhe ajo që po bën UNICEF në Shqipëri. Në Shqipëri UNICEF është duke u marrë vetëm me mbledhje të informacionit.
Ajo që presim nga organizata si UNICEF është ndihma e parë për këta mbi 100 mijë fëmijë.
Duke qenë se asnjë ndihmë nuk është ndarë, do të thotë se ata janë të papërgatitur dhe nuk kanë thithur fondet e duhura për fëmijët shqiptarë. Puna është se ky numër nuk ka dalë sot. Ky numër ka sot e 5 vjet që ne si organizatë ngremë shqetësimin. UNICEF ka pasur mundësi, pasi ka studime për varfërinë e fëmijëve në Shqipëri dhe s’kanë bërë asgjë për t’iu ardhur në ndihmë”, tha ai.