Në Itali ka shkuar në 29 numri i viktimave nga coronavirusi, ndërsa mbi 1120 numërohen të infektuar. Ashtu si në Wuhan, dhe në Lombardi një spital i është dedikuar vetëm të prekurve nga ky virus, ndërsa disa zona afër Milanos janë izoluar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Ndërkohë që Italia është kthyer në vendin më të prekur të Evropës nga virusi vdekjeprurës, “American Airlines” ka anuluar të gjitha fluturimet për në Milano deri më 24 prill.
Franca e cila deri tani numëron 100 persona të infektuar dhe dy viktima, ka ndaluar grumbullimet e më shumë se 5 mijë personave si masa parandaluese. Këto masa hynë në fuqi pas mbledhjes emergjente të qeverisë, ku u vendos dhe për anulimin e gjysmë maratonës së Parisit.
Në të gjithë botën numri i personave të infektuar ka arritur në mbi 85 mijë persona, ku deri tani janë konfirmuar raste në më shumë se, 50 vende të ndryshme. Ndërsa numri i të vdekurve i ka kaluar 2900 persona.