Me ujërat e kristalta dhe rërën e bardhë, plazhi i Pelozës është ndër të preferuarit e kompanive që mundësojnë pushimet në Sardenja, por vizitorëve do iu duhet tashmë një biletë dhe byzylyk i riciklueshëm për të hyrë në plazh.
Masat e marra javën e shkuara nga këshilli i Stintinos synojnë të ulin mbipopullimin në plazh dhe të mbrojnë mjedisin. Ato do të hyjnë në fuqi me nisjen e sezonit veror më 1 qershor.
Vizitorët mbi moshën 12 vjeç do duhet të paguajnë 3.50 euro për një biletë ditore, me numrin e vizitorëve të kufizuar në 1 mijë e 500 në ditë.
“Është numri i plazhistëve, që siç është theksuar në një sërë studimesh të kryera në vitet e mëparshme, mund të konsiderohet si i përshtatshëm për të mos dëmtuar plazhin,” tha përmes një deklarate kryetari i bashkisë së Stintinos, Antonio Diana.
“Deri më tani, plazhi ka pasur mbipopullim, me ditë të larta vizitorësh që kalonin 5 mijë personat”, shtoi ai.
Punonjësit në hyrjen e plazhit do të vendosin një byzylyk të riciklueshëm, të një ngjyre të ndryshme çdo ditë dhe do të sigurohen për respektimin e rregullave si ndalimi i pirjes së duhanit dhe moslejimi i kafshëve.
Përfitimet do të shkojnë drejt mirëmbajtjes së plazhit, pastrimit dhe mbrojtjes së dunave.
Turizmi në Sardenja ka kapur majat teksa më shumë se 3.1 milionë turistë vizituan ishullin mesdhetar në 2017.
Por edhe pse kjo ka sjellë përfitime në ekonominë lokale, turizmi ka sjellë gjithashtu edhe shumë shqetësime.
Në 2017, ishulli e bëri të jashtëligjshme marrjen e rërës nga plazhi, me gjoba që kapnin shifra prej 3 mijë eurosh, pas ankesave shumëvjeçare nga banorët.