English

Kryeministri Rama: Jemi në kohë lufte, do të mbyllim të gjitha mjediset ku grumbullohen shumë njerëz

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Qeveria shqiptare pritet të ndërmarrë masa drastike për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të coronavirusit. Kreu i qeverisë, Edi Rama paralajmëroi mbylljen e ambienteve ku grumbullohen shumë njerëz por dhe gjoba dhe penalizime për personat që nuk zbatojnë urdhrat për vetë izolim.

- Advertisement -

Këto deklarata, z. Rama i bëri në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin seriozisht kërcënimin që vjen nga coronavirusi, duke u bërë apel që të kufizojnë maksimalisht kontaktet fizike me persona të tjerë.

“Vendosëm të mbyllim shkollat jo për t’u dhënë vajzave dhe djemve tanë pushim për t’u mbledhur në disko dhe pub-e, për t’u argëtuar sikur të ishte një kohë e zakonshme. Kjo është një kohë lufte, që bota do ta fitojë, ne do ta fitojmë. Por të gjithë së bashku duhet të bëjmë çmos që të kufizojmë maksimalisht dëmet që mund t’i shkaktohet jo trupit fizik të vendit siç ndodhi me tërmetin, por shëndetit tonë, shëndetit të njerëzve tanë”, u shpreh z. Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se, “thirrja për të kufizuar kontaktet fizike është këshilla numër 1 e OBSH dhe e gjithë ekspertëve të fushës”, duke u kërkuar qytetarëve që të mos vijojnë me mitet se ne jemi të fortë dhe ushqehemi bio, pasi kjo nuk është një luftë konvencionale ku vihen në pah virtytet, por bëhet fjalë për një luftë me një armik të padukshëm që hyn në trupin e njerëzve.

“Nga ana tjetër kjo nuk është një luftë si luftërat konvencionale, ku vihet në pah virtytet njerëzore, guximin trimërinë, sypatrembshmërinë. Kjo është një luftë me një armik të padukshëm, fare të padukshëm që hyn në trupin tonë dhe trupin e njerëzve tanë më të dashur, dhe kërcënuar seriozisht shëndetin dhe jetën e atyre që janë të mëshuar dh të sëmurë”, tha kreu i qeverisë.

Fillimisht, z. Rama përshëndeti fjalën e mbajtur dje nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, por nga ana tjetër tha se sot situata ndryshoi. “Sot ndryshoi gjithçka, mbajti një fjalim për të nxitur panik”, tha ai. 

Ai foli më tej për akuzat e ngritura së fundmi nga opozita se në Shqipëri kanë hyrë maska të rrezikshme dhe të skaduara. Kreu i qeverisë tha se bëhet fjalë për disa maska të ardhura në Kanadaja nga një fondacion bamirësie por që nuk janë të skaduara dhe të rrezikshme.

Pavarësisht kësaj, kreu i qeverisë i bëri opozitës apel për bashkëpunim. “Ejani të bashkëpunojmë, nuk ka nevojë për shumë task-forca. Po helmoni opinionin publik se janë shpërndarë mbi 1 milion maska të skaduara dhe se tani janë dhënë fondet për karantinë. Kjo lëndon një popull të tërë. Ftesa është shumë e sinqertë”, theksoi ndër të tjera z. Rama.

Duke iu referuar faktit se thirrjeve për të kufizuar lëvizjet nuk janë marrë parasysh nga shumë qytetarë, kryeministri tha se do të merret vendim për të mbyllur të gjitha mjediset ku grumbullohen shumë njerëz.

“Do t’i mbyllim të gjitha, pub-e, palestra, dhe mjedise që mbledhin shumë njerëz. Do t’i mbyllim të gjitha për të vendosur shëndetin të parin. Nuk është dëshira ime, por po u them që kjo është gjëja që duhet bërë. Janë kufizuar kontaktet këtu në këtë godinë për të gjithë, jo vetëm për mua. Dhe mbledhjet që do të bëjmë do të jenë diçka e radhë që do të bëjmë”, deklaroi z. Rama.

Për restorantet dhe lokalet, tha se duhet të krijojnë distancë 2 metra nga njëra-tjetra për të vijuar punën. Kreu i qeverisë paralajmëroi se në rast të mos respektimit të këtyre rregullave do të ketë dhe sanksione.

“Çekia ka vendosur 100 milionë euro gjoba. Izraeli ka mbyllur 100 mijë persona në shtëpi dhe nëse dalin shkojnë drejtë për së drejti në burg”, tha z.Rama duke i marrë si referencë.

Nga nesër, tha kreu i qeverisë të gjithë punonjësit e administratës që mund të ofrojnë shërbim nga kompjuteri nuk do të paraqit në punë si dhe do të mbyllen të gjitha sportelet e shërbimeve në zyrat e shtetit.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?