Përdoruesit e TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara u përballën me një mesazh pop-up kur hapën aplikacionin, i cili tha: “Na vjen keq, TikTok nuk është i disponueshëm tani”.
Miliona përdorues në SHBA nuk mundën më të shikojnë video në platformën e mediave sociale pasi u mor vendimi për një ndalim federal të aplikacionit të njohur.
“Për fat të mirë, Presidenti Trump ka shprehur gatishmërinë për të punuar me ne për një zgjidhje për të rivendosur TikTok-un sapo të marrë detyrën,” vazhdonte njoftimi, duke iu referuar premtimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të “shpëtuar” platformën. Kompania u kërkoi përdoruesve të qëndronin të informuar.
Aplikacioni u hoq nga dyqanet kryesore të aplikacioneve, përfshirë ato të Apple dhe Google, ndërsa faqja e internetit e TikTok-u informoi përdoruesit se platforma e videove të shkurtra nuk ishte më e disponueshme. Ky “bllokim” filloi disa orë para se ligji të hynte në fuqi.
Opsioni i vetëm që ofron mesazhi për përdoruesit e SHBA-së ishte mbyllja e aplikacionit ose klikimi i një mundësie tjetër që i çon ata në faqen e internetit të platformës. Atje, përdoruesit janë informuar për të njëjtin mesazh dhe u është dhënë mundësia për të shkarkuar të dhënat e tyre.
Para se të dilte ky njoftim, TikTok kishte njoftuar përdoruesit e saj se shërbimi do të ishte “përkohësisht i paqartë” dhe u kishte thënë se po punonin për ta rikthyer shërbimin në SHBA “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Mbetet e paqartë se për sa kohë platforma do të qëndrojë e bllokuar.